Në prag të fillimit të kampionatit evropian të futbollit, që të premten pritet ta hapë përfaqësuesja e Francës dhe ajo e Rumanisë, ministria e punëve të brendshme e Francës, ka bërë të ditur se kanë krijuar një aplikacion të ri për telefonat e mençur që brenda 15 minutave paralajmëron për ndonjë sulm të mundshëm terrorist.
Aplikacioni i quajtur “SAIP” që është shkurtic për “System d’alerte et d’information des populations”, që në përkthim i bie “sistemi i paralajmërimit dhe informimit të popullsisë”, transmeton Telegrafi.
Ky aplikacion tani për tani është pa pagesë dhe është i disponueshëm në gjuhën frënge dhe atë angleze, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga ministria e brendshme franceze, në të cilën ndër tjera thuhet se ky aplikacion përmban sistemin e zakonshëm të paralajmërimit siç janë sirenat.
Falë këtij aplikacioni, çdokush do të paralajmërohet direkt nëpërmjet telefonave të tyre të mençur, në “rast të dyshimeve për ndonjë sulm të mund terrorist”, por edhe të ndonjë sulmi bërthamor apo dëmtimin e digave.
Përdoruesit e këtij aplikacioni do të kenë kohë 15 minuta, të ikin nga vendi ku janë dhe të strehohen në ndonjë vend më të sigurt, transmeton Telegrafi.
“Gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë për shkak të ndonjë atentati, largohuni nga vendet ku frekuentohen shumë. Thjesht mos u ekspozoni shumë. Përveç kësaj ju do të pranoni informacione në lidhje me atë se për çfarë lloj kërcënimi bëhet fjalë”, thuhet në ministrinë e brendshme.
Përveç paralajmërimit, aplikacioni që është prezantuar të martën mbrëma në Lyon, posedon edhe këshilla praktike dhe udhëzime se si duhet vepruar në rast të një emergjence.
Vendimi për të krijuar këtë aplikacion është marrë pas përvojës së hidhur, ku në nëntor të vitit të kaluar sulmuesit vetëvrasës në Paris lanë të vrarë mbi 120 persona. /Telegrafi/