Të dënuarit e rastit “Lagjja e Trimave” pritet që më 23 maj të transferohen nga burgu i Shkupit në atë të Idrizovës. Ata që nga 4 maji janë në grevë urie. Avokati, Naser Raufi për TV21 thotë se kjo datë është afati i fundit kur ata do të presin që të marrin përgjigje pozitive për kërkesat e të burgosurve. Në të kundërt, avokati paralajmëron se do të paraqesin padi penale për personat përgjegjës që kanë penguar realizimin e benefiteve.
“Nuk jemi të sigurt me burgjet tona dhe këtë gjyqësor. Por, mendoj se nëse nuk respektohet ky afat ne do të ndërmarrim masat tona. Ashtu kemi marrëveshje edhe me klientin tim që të ketë edhe padi penale për personat që mendojmë se e kanë bërë këtë problem”, pohoi avokati Raufi.
E sipas detyrës zyrtare ka vepruar edhe Avokati i Popullit, i cili ka dorëzuar rekomandim deri te Drejtoria e Burgjeve për transferim të të burgosurve në burgun e Idrizovës.
“Personalisht mendoj se mos transferimi i tyre në burgun e Idrizovës dhe mbajtja e mëtutjeshme e tyre në burgun e Shutkës lë hapësirë për të dyshuar se kjo bëhet me tendencë që ata të mos t’i shfrytëzojnë këto mundësi që ua jep ligji për zbatimin e sanksioneve. Në qoftë se ata refuzojnë që të zbatojnë rekomandimin atëherë unë do t’i drejtohem organit mbikëqyrës të burgut, ajo është Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve dhe në qoftë se edhe ata nuk ndërmarrin veprime konkrete, atëherë Qeveria sepse në fund të fundit Qeveria e emëron drejtorin e burgut, rrjedhimisht edhe shkarkimin”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Avokati i Popullit shtoi se këto të drejta dhe benefite nuk guxon t’u kufizohen të dënuarve me pretekstin se janë në burgun e Shutkës.
Ndryshe, me këtë transferim pritet që këta të dënuar të gëzojnë benefitet që u takojnë, e që në burgun ku deri tani po vuajnë dënimin ekziston pengesë juridike që pamundëson realizimin./TV21/