Jemi në muajt e sezonit të pushimeve të mërgimtarëve tanë, të cilët mezi presin të vijnë tek ne dhe të shohin përparimet që janë arritur në vendin e tyre: në vendin ku ata mendojnë të jetojnë vetë, ose fëmijët e tyre së paku të kenë perspektivën e duhur për të jetuar.
Çka në realitet ne si shoqëri dhe institucione jemi duke i ofruar kësaj kategorie të popullit tonë, që dikur dhanë çdo gjë për ne: djersën, vitet më të bukura të rinisë së tyre dhe krejt në fund dhanë edhe gjakun e tyre.
Vlen të theksohet se gati gjysma e dëshmorëve të kombit te luftës së fundit janë mërgimtarë. Ata lanë familjet e tyre për t’u kyçur në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; lanë luksin që ata mund ta kishin ne vendet ku jetonin. Vetëdija e këtij populli janë mërgimtarët; ata janë alfabeti ynë. Ne pa ta nuk do mund të kishim arsimim…
Lirisht mund të themi që këtë sferë të jetës e kishim më mirë në kohën e okupimit nga Serbia, në atë kohë kur arsimi mbahej kryesisht nga mërgimtarët, sesa tash pas katërmbëdhjetë vitesh të përfundimit të luftës. Ndërsa, pa arsimimin e gjeneratave të asaj kohe nuk mund ta kishim as vetëdijen e duhur për lirinë.
Jemi dëshmitarë për padrejtësitë dhe shkeljen e dinjitetit të tyre nga ana institucioneve. Ende pa u futur ata në tokën e Kosovës, Qeveria e Kosovës ka vendosur një taksë për sigurimin e gjoja automjeteve të tyre në vlerë prej 50 eurove për kohën sa ata do të qëndrojnë në Kosovë. Pastaj, për të shkuar në komunën e tyre dhe për t’u pajisur me dokumente personale, atyre u kërkohen para shtesë në mënyrë që t’u shpejtohet procedura e nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit brenda afatit sa ata janë me pushime në Kosovë. Pastaj janë edhe radhët e gjata nëpër sportele, si rezultat I burokracisë së krijuar nëpër institucionet komunale dhe qendrore…
Policët e rendit nuk ngurrojnë që për një gabim fare të vogël, ngasësve të automjeteve me targa të mërgimtareve t’u shqiptojnë gjoba dhe atë duke u thënë: jeni “shaca”, “keni pare”… Ndërsa, fëmijëve të qeveritarëve mbase nuk guxojnë t’ua qesin shenjën stop përpara. Edhe atëherë kur kjo “aksidentalisht” ndodhë, ballafaqohen me dhunë fizike nga ana e djemve të “shefave”.
Këto janë shkelje të dinjitetit të mërgimtarëve. Mund ta quajmë plaçkë institucionale kundër tyre.
Në vend se të merret me këto probleme dhe preokupime te tyre, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, bën ekskursione nëpër diasporën shqiptare dhe shpenzon kot paranë publike të buxhetit të Kosovës.
Gjithmonë harrohet edhe një fakt shumë domethënës: gati 1/3 e buxhetit të vendit merret nga kjo kategori e popullit tonë. Sikur mos të kishim të ardhurat vjetore të mërgimtarëve, ne do t’i kishim afro 400 milionë euro më pak në buxhetin e Kosovës.
Mërgimtarëve tanë duhet t’ju përkushtojmë përkujdesje në shërbime institucionale dhe jo me organizime te koncerteve dhe banerave me mbishkrime “Mirë se vini”.
Institucionet duhet ta kenë parasysh një gjë: mos e ofendoni logjikën e kthjellët mërgimtarit, por trajtojeni sikur meritojnë dhe aq sa ata dhanë ata për vendin e tyre.