Andrew Anglin, themelues i faqes neonaziste të internetit, “The Daily Stormer”, e ka pasur të pamundur këto ditë të gjejë një domain ku të mund të ngrejë faqen e tij.
Sipas asaj që bën të ditur “Newsweek”, kompania amerikane e hostimeve “GoDaddy” ia kishte fshirë atij faqen, pasi kishte publikuar një artikull përçmues ndaj Heather Heyer, aktivistes antifashiste që ndërroi jetë pasi u shtyp nga automjeti i drejtuar nga një neonazist, gjatë mitingut të supremacistëve të bardhë në Charlottesville, më herët gjatë gushtit.
“The Daily Stormer” u fshi edhe nga “Google” për shkelje të kushteve të shërbimit të rrjetit gjigant të kërkimeve, e pasi dështoi të siguronte një domain rus, u përpoq të hidhte “online” një faqe të kriptuar.
Anglin njoftoi të mërkurën, përmes rrjetit social “Gab”, se faqja kishte dalë sërish “online” me adresë https://dailystormer.al/, gjë që nënkupton se ishte regjistruar me një domain në Shqipëri.
Por, edhe kompania shqiptare “Host.al”, që merret me regjistrimin e domaineve me prapashtesën “.al”, reagoi duke e bllokuar këtë faqe raciste vetëm pak orë pasi kishte marrë ankesa.
Pjesëtarë të grupit të “hacker”-ave “Anonymous Albania” e manifestuan këtë vendim si një fitore të tyren, pasi kishin raportuar më herët se “Daily Stormer” ishte zhvendosur duke gjetur strehë në domainet shqiptare.
“Domainet që nxisin racizëm, urrejtje apo krime ndaj njerëzimit nuk janë të lejuara në vendin tonë”, tha një zëdhënës i “Host.al”, duke shtuar se Shqipëria “gjithmonë ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër racizmit”. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria shërbeu si një strehë e sigurtë për shumë refugjatë hebrenj nga shumë vende të tjera”, tha zëdhënësi.
Anglin reagoi sërish dhe tha se faqja do ta gjejë gjithsesi një domain.
E emëruar sipas emrit të një gazete të nazistëve gjermanë “Der Sturmer”, “the Daily Stormer” është një faqe e dedikuar përhapjes së antisemitizmit, neonazizmit dhe nacionalizmit të bardhë, kryesisht përmes hiperbolave dhe tregimeve të mbushura me epitete, rreth çështjeve të tilla si pretendimi se hebrenjtë kontrollojnë botën apo krimet e njerëzve me ngjyrë ndaj të bardhëve”. /Top Channel/