Klinika e Neonatologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nga sot do të ketë një aparat ultrasonografi ( ultrazë) i cili do të lehtësoj diagnostifikimin e foshnjave të porsalindura.
Ultrazëri është donacion nga Banka Raiffeisen dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.
Me rastin e dorëzim- pranimit të këtij donacioni, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, falënderoi donatorët, duke shtuar se ky donacion është i mirëseardhur për Klinikën e Neonatologjisë.
Ai mes tjerash tha se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim edhe me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, po punon intensivisht që të bëhen përmirësime të vazhdueshme.
Ministri Ismaili theksoi se gjatë këtij viti do të blihen aparatura dhe do të ketë përmirësime në infrastrukturë, e që do të lehtësojnë punën e stafit shëndetësorë, i cili edhe pse në kushte të vështira po japë kontribut të madh.
Në anën tjetër, Robert Wright, drejtor i Raiffeisen Bank për Kosovë, theksoi në fokus të Bankës janë edhe ndihmesat dhe donacionet në fusha të ndryshme.
Wright potencoi se në fillim kanë qenë të fokusuar në investimet në fushën e sportit dhe kulturës, përderisa tani më shumë do të përkrahin shëndetësinë.
Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë donacion, duke theksuar se përmes tij do të bëhet më i lehtë diagonstimi i patologjive të ndryshme tek foshnjat e porsalindura.
Përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë tha se përmes këtij donacioni po përmbushet njëra prej qëllimeve që ka Aksioni, përmirësimin e shëndetit të nënave dhe foshnjave.