Site icon Telegrafi

Nëntëvjeçarja në SHBA vdes në gjumë, tre ditë pasi rezultoi e infektuar me COVID-19

Një vajzë nëntëvjeçare nga Teksasi vdiq papritur në gjumë vetëm tre ditë pasi doli pozitive me coronavirus dhe tani familja e saj po kërkon përgjigje.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Makenzie Gongora nga San Antonio u fut në shtrat nga nëna e saj më 2 shkurt pasi tha se ndihej e rraskapitur – dhe nuk u zgjua më kurrë.

“Kunata ime e kontrolloi më vonë atë dhe e kuptoi që ajo nuk po merrte më frymë”, tha halla e saj, Erica Gongora.

Bazuar në deklaratën e familjes së nëntëvjeçares, Mekenzie së pari u ankua për dhimbje stomaku dhe për dhimbje koke më 29 janar në programin e saj pas shkollës.

Pasi stafi i këtij programi ia mati temperaturën dhe zbuloi se ajo kishte ethe, nëna e vajzës, Kristle Gongora e dërgoi vajzën e saj në Qendrën Mjekësore të Ushtrisë Brooke, ku Makenzie doli pozitive me COVID-19.

“Kenzie nuk kishte ndonjë problem me frymëmarrjen”, tha një e afërme e familjes, Victoria Southworth.

“Nuk kishte simptoma madhore. Të gjitha simptomat i kishte të lehta”, shtoi ajo.

Familja e nëntëvjeçares tani po pret rezultatet e autopsisë për ta përcaktuar saktësisht vdekjen e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version