Telegrafi

Nëntëmbëdhjetë vite nga rënia e mjekut të UÇK-së, Lec Gradica

Nesër bëhet 19 vjet nga rënia e dëshmorit – mjekut të luftës dhe humanistit, Lec Leci, i njohur si Lec Gradica, i cili ra duke shëruar plagët e luftëtarëve dhe popullatës në malet e Qyqavicës.

Leci ishte ndër mjekët e parë që iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas strukturimit të UÇK-së në njësi dhe fillimit të luftës frontale kundër forcave serbe, ai ishte pjesë e Brigadës 114 në Zonën Operative të Drenicës, duke shëruar plagët e luftëtarëve dhe popullatës civile.

Ai shquhej për thjeshtësi, disiplinë në punë dhe profesionalizëm. Ishte i dashur për pacientët, duke mos kursyer për asnjë moment asgjë nga vetja dhe familja (krah të djathtë e kishte edhe bashkëshorten e tij).

Për nderuar veprimtarinë e tij, nesër në Varrezat e Dëshmorëve në Polac të Skenderajt bëhen homazhe tek varri i mjekut të UÇK-së, duke filluar nga ora 10:00. /KP/