Telegrafi

Nëntë vjet më parë Atifete Jahjaga u zgjodh presidente e Kosovës

Me 80 vota pro, Kuvendi i Kosovës më 7 prill 2011, zgjodhi ish-zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit, duke u bërë kështu presidentja e parë femër e shtetit të pavarur të Kosovës. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, derisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, u betua para Kuvendit se do të mbronte Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga tha se kishte vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.

Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi miratoi edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behgjet Pacolli. /kp/