Trupat e nëntë personave të pajetë janë gjetur dhe një person tjetër dyshohet se ka vdekur pasi zjarri ra në një shtëpi pushimi për personat me aftësi të kufizuara në Francë.
Shtatëmbëdhjetë të tjerë u dërguan në siguri ndërsa një person është dërguar në spital pasi një zjarr shpërtheu në qytetin e Wintzenheimit, thanë autoritetet lokale.
Zyrtarët më herët thanë se 11 persona – përfshirë dhjetë të rritur me aftësi të kufizuara dhe një anëtar i stafit – ishin të zhdukur.
Philippe Hauwiller, komandanti kryesor i zjarrit në Wintzenheim dhe kreu i operacioneve të shpëtimit, deklaroi para gazetarëve se “ne po kërkojmë trupat e atyre që nuk mund të largoheshin nga ndërtesa”.
Një trup i fundit është ende në kërkim, kanali francez i lajmeve BFMTV ka mësuar nga brigada e zjarrfikësve.
Autoritetet lokale thanë se të zhdukurit ishin nga një grup njerëzish nga qyteti i Nancyt, raporton skynews.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti zjarrin një “tragjedi” dhe tha se mendimet e tij janë me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre ndërsa falënderoi shërbimet e urgjencës. /Telegrafi/