Telegrafi

Nëntë oficerë u lënduan gjatë një proteste kundër masave të izolimit në një qytet të Anglisë

Nëntë oficerë policie pësuan lëndime gjatë një proteste kundër bllokimit në Bradford të Anglisë, deklaruan autoritetet.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, deri në 400 demonstrues marshuan nëpër qendër të qytetit.

Policia e West Yorkshire tha se, “shumica e protestuesve ishin paqësorë”, por shtoi se një grup duhej ndaluar pasi u përpoqën të vërshojnë në një qendër vaksinimi.

Si rrjedhojë, policia arrestoi 13 persona për shkelje të rendit publik si dhe lëshoi 19 gjoba për shkeljen e rregulloreve anti-COVID-19.

Autoritetet deklaruan se monitorimi i demonstratës ishte “sfidues dhe kompleks”. /Telegrafi/