Drita ka fituar më shumë mund ndaj Ulpianës në kuadër të javës së 27-të në BKT Superligën e Kosovës me rezultat 3-2.
Trajneri i skuadrës nga Gjilani, Ardian Nuhiu është shprehur shumë i lumtur me luftën që bënë lojtarët e tij për të marrë këtë fitore të mundimshme.
“Më gëzon fakti që nuk u dorëzuam për asnjë moment. Më vjen mirë për një vazhdimësi të rezultateve pozitive”, ka thënë fillimisht ai për ArtSport.
“Deri në fund të kampionatit do t’i kemi edhe nëntë finale dhe do t’i marrim një nga një”.
“Normal që neve na intereson edhe se çfarë bëjnë kundërshtarët tanë, por fillimisht i shikojmë takimet tona e më pas të tjerët”, ka shtuar më tej Nuhiu.
Drita me këtë fitore del në pozitën e dytë me 49 pikë, aq sa Gjilani, ndërsa Ulpiana mbetet në pozitën e 9-të me 24 pikë. /Telegrafi/