Site icon Telegrafi

Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listën për Oscar

Pamje nga filmi "No Other Land"

Nëntë filma të shfaqur gjatë festivalit ndërkombëtar që mbahet në Prizren janë përzgjedhur për Oscars, ka njoftuar të enjten DokuFest.

Sipas njoftimit tetë filmat e kësaj liste janë shfaqur në edicionin e 23-të të mbajtur gjatë kësaj vere, derisa filmi “Queendom” ka qenë pjesë e festivalit në vitin e shkuar.

“Filmat në fjalë janë përzgjedhur për listën e gjatë të Çmimeve Oscar 97-të, duke shënuar një tjetër moment historik të jashtëzakonshëm për festivalin”, thuhet në komunikatën e DokuFestit, raporton Telegrafi.

Filmat e përzgjedhur në kategorinë e dokumentarëve të gjatë janë: “Hollywoodgate”, “No Other Land”, “Queendom”, “Soundtrack to a Coup D’Etat”, “Sugarcane” dhe “Union”.

Ndërsa në kategorinë e dokumentarëve të shkurtër janë filmat: “Incident” dhe “Until He’s Back”.

Te kategoria e filmit të shkurtër narrativ është “The Masterpiece”.

“Ky vlerësim i jashtëzakonshëm është një dëshmi e programimit unik dhe të kujdesshëm të DokuFest, i cili vazhdon të mbështesë tregime inovative dhe t’u japë hapësirë zërave të ndryshëm në botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër. Çdo vit, festivali paraqet një përzgjedhje të jashtëzakonshme filmash, shumë prej të cilëve vazhdojnë të marrin njohje ndërkombëtare dhe çmime prestigjioze, përfshirë edhe nominimet për Oscar”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Aty theksohet se festivali vazhdon që të jetë një platformë e rëndësishme për filmbërësit dhe krijimet e tyre.

“DokuFest mbetet i përkushtuar për të mbështetur talentet e reja përmes programeve të dizajnuara me kujdes, duke u ofruar regjisorëve mundësi për të lidhur filmat e tyre me audienca ndërkombëtare dhe liderë të industrisë. Përkushtimi i festivalit për të promovuar zëra të rinj dhe narrativa të fuqishme garanton se ai vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për filma që rezonojnë globalisht”, përfundon komunikata e DokuFestit. /Telegrafi/

Exit mobile version