Telegrafi

Nëntë federatat e vetme sportive të licencuara deri tani nga MKRS

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka konfirmuar për Telegrafin se deri tani ka vetëm nëntë federata sportive që kanë plotësuar kushtet dhe janë licencuar.

Divizioni për Komunikim Publik në kuadër të MKRS-së nuk ka hezituar t’i kthejë të gjitha përgjigjet e pyetjeve të Telegrafit në lidhje me situatën rreth procesit të licencimit të Federatave.

MKRS ka konfirmuar se momentalisht nuk ka ende asnjë rekomandim nga Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për refuzim të dhënies së licencës për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Sipas tyre, përveç Federatës së Futbollit të Kosovës janë edhe plotë 16 federata tjera në proces të licencimit.

Deri tani, MKRS ka konfirmuar se ka vetëm nëntë federata që kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e licencimit, shkruan Telegrafi.

“Deri më tani (me datën 22/12/2022) në MKRS janë licencuar 9 federata sportive përfshirë këtu: Federatën e PingPongut të Kosovës; Federatën e Xhudos së Kosovës; Federatën e Hendbollit të Kosovës; Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës; Federatën e Mundjes së Kosovës; Federatën e Triathlonit të Kosovës; Federatën e Volejbollit të Kosovës; Federatën e Basketbollit të Kosovës; dhe Federatën e Atletikës së Kosovës”.

“Me marrjen e licencës në MKRS, federatat sportive dhe të gjithë anëtarët e tyre fitojnë të drejtën e përfitimeve dhe bartjen e obligimeve të cilat burojnë nga Ligji për Sport, Ligji për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport, Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga të gjitha ligjet tjera të cilat janë në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka thënë MKRS për Telegrafin. /Telegrafi/