1. Kosova, n’letër është shtet sovran – n’praktikë, as institucionet e shtetit, e as ata individë që e shpallën këtë “shtet sovran”, s’guxonjnë të shkelin në rreth 15 për qind të territorit të saj.
2. Kosova, n’letër është shtet demokratik – n’praktikë, manipulohen zgjedhjet, gjyqësori s’konsiderohet i pavarur, pushtetet lokale dhe qendrore s’punojnë sipas prioriteteve të qytetarëve, mediat s’gëzojnë lirinë e shprehjes, shoqëria civile jo rrallë është në shërbim të pushtetarëve dhe nuk konsiderohet si organ i besueshëm për monitorimin e zhvillimeve demokratike… (shih: Raportin Pulsi Publik – përgjigjet në pyetjet për Indeksin e Demokratizimit)!
3. Kosova, n’letër ka dy sisteme gjyqësore (EULEX-in dhe Gjykatat e Kosovës) – n’praktikë, shumica e institucioneve publike udhëhiqen nga njerëz të dyshuar, për; vrasje, krim të organizuar, korrupsion, nepotizëm, shantazh, haraç, hajni, ushtrim dhune…!
4. Kosova, n’letër quhet KosovO – n’praktikë, asnjë qytetar nuk deklarohet si kosovar, të gjithë e quajnë veten; shqiptar, serb, boshnjak, ashkanlinj, rom, egjiptian, turk.
5. Kosova, n’letër është kundër diskriminimit – n’praktikë, vlera jote profesionale s’ka vlerë, s’lejon bartjen e simboleve fetare nëpër shkolla (mbulesën, kryqin etj.), s’mund të punësohesh nëse s’ke t’njofshëm, s’i njeh si viktima gratë e dhunuara gjatë luftës, femrave ua mohon të drejtën e trashëgimisë së pasurisë familjare…!
6. Kosova, n’letër para 2-3 viteve ka qenë dashur që ketë liberalizim të vizave (“…për pesëmbëdhjetë muaj do të ndodhë liberalizimi i vizave” – 9 dhjetor 2010, kryeministri i Kosovës) – n’praktikë jemi populli më i izoluar n’botë!
7. Kosova, n’letër ka shënuar ngritje ekonomike (“…Kosova edhe këtë vit e ka shënuar një rritje ekonomike mbi 5 për qind…” – 30 dhjetor 2013, kryeministri i Kosovës) – n’praktikë, 10,2 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme (me 1.20 euro në ditë), 29,7 për qind jetojnë në varfëri (1.72 euro në ditë) dhe shkalla e papunësisë është 30,9 për qind (shih: Agjencia e Statistikave të Kosovës). Ndërsa, shumica dërmuese e qytetarëve mendojnë që varfëria, papunësia dhe çmimet e larta janë problemet kryesore me të cilat ata përballën (shih: Raportin Pulsi Publik VI)
8. Kosovarët n’letër, akuzojnë njëri-tjetrin (disa edhe komunitetin ndërkombëtar) për këtë gjendje – n’realitet, çdonjëri prej nesh i ka kontribuar kësaj katrahure! Qoftë me votë, heshtje karshi t’keqes apo duke u përfshirë në të!
9. Kosova, n’letër… – n’praktikë…!
Eh tash, të dashur bashkqytetarë, me shnet 17 Shkurti – dita e shpalljes së shtetësisë së Kosovës! Por, sugjeroj që, në vend të ngazëllimit pa frena, kjo ditë të na shërbej si pikënisje reflektimi për përmirësimin e gabimeve që na sollën deri në këtë gjendje. Sepse, jo aleatët ndërkombëtarë siç po shpresojnë disa, por as vet Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli – derisa ata të ndryshojnë gjendjen e tyre.
Kambanat rrahin për ata që kanë vesh!