Telegrafi

Nënshkruhet Memorandum në mes OST-ve

“KOSTT, së bashku me shumicën e operatorëve rajonal, sot ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit, çka konsiderohet një arritje e madhe e KOSTT në procesin e integrimeve rajonale. Operatorët tjerë kanë paralajmëruar nënshkrimin e Memorandumit, përveç Operatorit serb që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”, thuhet në një njoftim zyrtar të KOSTT-it.

Ky proces është konsideruar të jetë një arritje e madhe për vendet e rajonit në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe integrimit në tregun e brendshëm të BE-së.

“Memorandumi ishte dhe vazhdon të jetë i hapur për nënshkrim nga të gjitha OST-të e regjionit, me çka palët nënshkruese shprehin përkushtimin për themelimin dhe funksionalizimin e Zyrës për Alokim të Koordinuar të kapaciteteve interkonektive transmetuese”.

Tutje në njoftimin e KOSTT-it thuhet se, kjo formë e dhënjes të së drejtës për shfrytëzimin e kapaciteteve interkonektive (kufijtë teknik të sistemit), më parë ishte bërë obligative për palët nënshkruese sipas vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, përderisa parashihet se themelimi i një zyre regjionale do të lehtësonte dhe optimizonte procedurën e alokimit dhe vetë procesin e shfrytëzimit të interkoneksioneve. /Telegrafi/