Sot është nënshkruar memorandum për bashkëpunim në fushën e integrimit kufitar në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, njofton Telegrafi Maqedoni.
Koordinatorët kombëtar për menaxhim kufitar të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, Vlladimir Pivovarov dhe Isa Xhemajlaj, sot në qendrën për media të Qeverisë së Maqedonisë nënshkruan memorandum për bashkëpunim në mes qendrave koordinatore për menaxhim të kufijve të të dyja vendeve.
“Me shkëmbimin e shpejtë të informacioneve, shpresoj që në të ardhmen t’i tejkalojmë problemet e deri më tanishme, parasegjithash në lëvizjen e shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave, me çka qytetarët, gjegjësisht shoqëritë bizneseve edhe nga Republika e Maqedonisë edhe nga Republika e Kosovës do tu mundësoj më shumë të ardhura”, tha Pivovarov.
Ndërsa koordinatori Xhemajlaj tha se “me memorandumin e avancojmë bashkëpunimin në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit ndërkombëtare, çka do të jetë në ndihmë të të qytetarëve e të dyja vendeve”./Telegrafi/