Telegrafi

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes Postës së Maqedonisë dhe Sllovenisë

Posta e Maqedonisë dhe ajo e Sllovenisë kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim, i cili parasheh shfrytëzim të përvojave nga posta sllovene për zhvillim të Postës së Maqedonisë.

Memorandumi parasheh që prioritet të jetë shfrytëzimi i aplikacionit ITM nga Posta e Sllovenisë, për doganim të dërgesave postare nga ana e Postës së Maqedonisë.

Aplikacioni do ta lehtësojë procesin e doganimit të dërgesave postare, që do të thotë lehtësim për punën e Postës së Maqedonisë.

Përfaqësuesit e Postës së Maqedonisë gjatë qëndrimit në Slloveni do të vizitojnë “Post – ekspo” 2017, ngjarje e organizuar nga Lidhja postare botërore në Gjenevë./Telegrafi/