Telegrafi

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes FEFS-së dhe SHGSK-së

Një ndër projektet më të rëndësishme të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës është zgjerimi i bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, përkatësisht me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

Hap i madh në këtë drejtim është bërë të hënën, në ambientet e FEFS-së, ku dekani i këtij fakulteti, Musa Selimi dhe kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Selimi deklaroi që kjo marrëveshje do t’i lëvizë gjërat përpara dhe do të shërbejë si ndihmë për kalimin e problemeve më të cilat ballafaqohet Fakulteti që ai drejton.

“Besoj fuqishëm që gazetarët sportivë do ta senzibilizojnë çështjen e problemeve me të cilat ballafaqohen studentët tanë që janë në mungesë të infrastrukturës dhe shpresoj që do të japin kontribut të çmueshëm që ky problem madhor për organizmin e kësaj njësie akademike të Universitetit të Prishtinës të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Përmbledhja e pikave të cilat i kemi në marrëveshje shpresojmë që do të realizohen në përpikëri. Tash e tutje do të jetë një bashkëpunim shumë i ngushtë” deklaroi Selimi.

Bashkëpunimin me FEFS-në, kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli e cilësoi si e mirë e përgjithshme e gjithë shoqërisë.

“Para se gjithash kjo i kontribon komuniteti arsimor dhe gazetaresk, por edhe gjithë shoqërisë në përgjithësi. Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah Universitetit sa herë që ajo është e nevojshme dhe pres të kemi bashkëpunim shumë të mirë sidomos në lëmin e sporteve të cilat janë më pak të mbuluara në vendin tonë. Nga sot bashkëpunimi do të jetë shumë më i madh me Fakultetin e Edukatës Fizike dhe Sportit”.