Bashkia Tiranë, përmes projektit të vet strategjik “TEDA Tiranë” dhe kompania izraelite “H.A.P.I. Advanced Technologies LTD” nënshkruan të premten marrëveshjen për krijimin e një qendre rajonale për ruajtjen e të dhënave digjitale.
Investimi në kryeqytetin shqiptar synohet që të përmirësojë infrastrukturën digjitale të vendit dhe të tërheqë investime të tjera në këtë sektor, duke shfrytëzuar edhe përvojën e “TEDA” në sektorë strategjikë, si teknologjia, industria automotive, inovacioni, prodhimi dhe industri të tjera në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se investimi do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për punësimin e të rinjve, të cilët sikurse sqaroi ai nuk do të vlerësohen në bazë të forcës së punës, por në bazë të cilësisë me të cilën e kryejnë atë.
Po ashtu, Rama theksoi se investimi që do të realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite, është investim strategjik i një rëndësie të veçantë, pasi në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit, do të krijohet banka digjitale më e madhe në rajon.
“Marrëveshje strategjike për Tiranën, e cila e ka zanafillën disa vite më parë në takimin prezantues të kompanisë izraelite gjatë një vizite që ne bëmë në Izrael.
Nuk e fsheh që fakti që kompania vjen nga Izraeli, është një arsye më shumë për të qenë posaçërisht të kënaqur që e mirëpresim këtë marrëveshje që të firmoset këtu në këtë hapësirë.
E them këtë duke e nisur nga fakti që historia e ndryshimit transformimit, sovranitetit të Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni dhe po ashtu, ekonomia, pavarësisht numrit të vogël të popullsisë, është shëmbëlltyra e faktit se dallimin mes vendeve, shteteve, nuk e bën çfarë ke, por çfarë di./RTSH