Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e Zonës Ekonomike respektivisht Parkut Industrial në Opterushë, Komuna e Rahovecit.
Sipas komunikatës për medie të MTI-së kriteret e parapara me legjislacionin në fuqi tashmë janë plotësuar, dhe marrëveshja u finalizua sot.
Në këtë vendim janë paraparë që 34 hektar tokë, ku do të vendosen bizneset e huaja dhe vendore.
Ministri në detyrë u shpreh se kjo do të jetë një zonë që do tu shërbej bizneseve të kenë hapësira më të mira për punë, dhe parashihet të punësohen rreth 600 persona.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar zona ekonomike. Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarin dhe numri i të punësuarve parashihet të jetë rreth 600 persona”, tha Shala.
Sipas komunikatës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do ta financojë infrastrukturën e kësaj zone me rreth 3 milionë euro duke i kushtuar rëndësi zhvillimit ekonomik të vendit.
Vendimin e nënshkruar nga ministri në detyrë, Endrit Shala, e pranoi kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. /Telegrafi/