Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe shefi i zyrës së Agjencionit Austriak për Zhvillimit (ADA) në Kosovë, Gunther Zimmer, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj austriake, të quajtur “Qasja në treg dhe shërbimet e dixhitalizimit të biznesit për kompanitë e Kosovës – ACCESS”.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje përmban një sërë intervenimesh lehtësuese, përballë kufizimeve sistemike të tregut të cilat pengojnë uljen e varfërisë në Kosovë.
“Intervenimet janë përshtatur për të nxitur ndryshime sistemike në sjelljet, aftësitë dhe marrëdhëniet e akterëve kyç të sistemit të tregut dhe për të sjellë përfitime për njerëzit që jetojnë në varfëri. Si rezultat i këtij projekti, 150 vende pune do të krijohen ose mirëmbahen, deri në 4,800 kompani të sektorit privat, të punësuarit e tyre dhe popullsia më e gjerë (dhe ajo e varfër) në Kosovë do të përfitojnë nga aktivitetet e projektit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Ministri Lluka tha se ky projekt do të mundësoje aplikimin e praktikave më të mira austriake të zhvillimit të sektorit privat.
“Ky projekt është edhe një dëshmitar e bashkëpunimit të ngushtë në mes të Qeverisë Austriake dhe asaj të Kosovës në fushën e Zhvillimit të sektorit privat. Agjencioni Zhvillimor Austriak ka qenë gjithmonë i gatshëm të ndihmoj Kosovën duke aplikuar në Kosovë praktikat më të mira austriake të zhvillimit” tha ai.
Ndërsa, Gunther Zimmer, shefi i zyrës së ADA në Kosovë, ka thënë se përmes këtij projekti vazhdojmë përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat në Kosovë në luftën kundër varfërisë.
“ADA përmes projektit ACCESS vazhdon përkrahjen për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të ndërmarrjeve private dhe luftimit të varfërisë. Krahas projekteve në zhvillimin rural, arsimin e lartë, stimulimin e investimeve të huaja, fuqizimin e sektorit privat etj. ADA, përmes projektit ACCESS dhe në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar për fuqizimin e sektorit privat në Kosovë edhe përmes fushës së digjitalizimit. Projekti synon mes tjerash që të kontribuojë në aftësimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të Kosovës për tu përballur me sfidat e epokës së dixhitalizimit. Nënshkrimi i marrëveshjes me MZhE-në, është një dëshmi për përkushtimin e institucioneve të Kosovës drejt këtij synimi të përbashkët“, u tha Zimmer. /Telegrafi/