Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës i prirë nga Kryeshefi Ekzekutiv, Avni Ahmeti është duke marrë pjesë në Konferencën e 12 regjionale për kadastër dhe Infrastrukturë kombëtare për informacionet gjeohapësinore, e cila është duke u mbajtur në Neum të Bosnje dhe Hercegovinës me 4,5 dhe 6 shtator, 2019.
“Qëllimi kryesor i kësaj Konference ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për hartografi dhe kadastër nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Sllovenia dhe Kroacia.
Kjo marrëveshje ka për qëllim ngritjen e shkallës së bashkëpunimit mes institucioneve respektive në fushat e interesit të përbashkët, duke përfshirë avancimin e bashkëpunimit në kadastër, gjeodezi dhe hartografi, në zhvillimin dhe interoperabilitetin e GNSS sistemeve, në zhvillimin e rrjeteve gravimetrike dhe trigonometrike, në harmonizimin dhe hapjen e të dhënave hapësinore konform politikave dhe direktivave të BE-së e ngjashëm”, thuhet në njoftimin për media.
Marrëveshja u përkrah edhe nga shtete dhe organizata të fuqishme si Qeveria Suedeze, Qeveria Norvegjeze, Qeveria Holandeze, Banka Botërore, JICA, të cilat ishte edhe promotorë të arritjes së kësaj marrëveshjeje. /Telegrafi/