Telegrafi

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi për linjën hekurudhore dhe autostradën 

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha, përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Marrëveshjet janë nënshkruar me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Të pranishëm ishin ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, Ramë Qupeva, nga Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve i Ministrisë së Infrastrukturës dhe udhëheqësi i ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Video: DW

Ndryshe, para një muaji, palët kanë nënshkruar edhe nga një Letër të shprehjes së interesit për hapjen e korridorit ajror në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Lexo po ashtu Marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deklarohet ambasada amerikane në Berlin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të së enjtes me ambasadorin Richard Grenell në Mynih të Gjermanisë tha se pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, do të ketë në marrëveshje të reja.

“Ishte një takim jashtëzakonisht efektiv, ne do të lëvizim në marrëveshje të reja pas arritjes së marrëveshjes së linjës Prishtinë-Beograd. Do të kemi angazhime tjera për linjën hekurudhore. Do të punojmë si institucione që të arrijmë marrëveshjen finale si dy vende të pavarura”, ka shtuar Thaçi duke theksuar se Kosova do të ndërmarrë veprime që e lehtësojnë dialogun. /Telegrafi/