Izraeli dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave për kosovarët.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, transmeton Telegrafi.
Ministrja Gërvalla nënshkrimin e kësaj marrëveshje e ka cilësuar si një dëshmi të marrëdhënieve të fuqishme mes Kosovës dhe Izraelit, e cila sipas saj do ta bëjë më të lehtë që qytetarët tanë të vizitojnë Izraelin dhe të krijojnë lidhje kulturore dhe profesionale.
“Kjo marrëveshje që nënshkruam dhe ky vendim për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve tona do të hap një kapitull të ri në promovimin e vendit tonë, bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik, zhvillimin arsimor të të rinjve si dhe realizimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta mes qytetarëve dhe vendeve tona në të ardhmen”, tha ministrja Gërvalla.
Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel shprehu vendosmërinë e Izraelit për të mbështetur Republikën e Kosovës në zhvillim dhe integrim euroatlantik.
Sipas njoftimit nga MPJD, vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Izrael hyn në fuqi më datën 19.09.2024.
Ministri i Izraelit sot gjatë ditës u prit në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Ndryshe më 29 janar të këtij vitit, presidentja Vjosa Osmani kishte njoftuar se Izraeli është pajtuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani kishte bërë të ditur se ministritë përkatëse kishin nisur procedurat për formalizimin e marrëveshjes, dhe se qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në një nga destinacionet më të njohura turistike në rajon dhe më gjerë.
Ky vendim i Izraelit vjen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës më 4 shtator 2020. /Telegrafi/