Shqipëria dhe Italia kanë firmosur këtë të martë marrëveshjen e pensioneve mes dy vendeve. Kanë qenë ministrat e Jashtëm Igli Hasani dhe Antonio Tajani, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen në Romë.
Ka qenë kryeministri i vendit Edi Rama ai i cili ka ndarë në rrjetin social facebook pamjet nga momenti i finalizimit të marrëveshjes.
Kreu i qeverisë shkruan se me njohjen e Sigurimeve Shoqërore mes dy vendeve, janë mbi gjysmë milionë emigrantë shqiptarë në Itali të cilët do të përfitojnë.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, një arritje e shumëpritur për mbi 500 mijë shqiptarë në vendin e dashur fqinj, falë një përpjekjeje këmbëngulëse prej thuajse një dekade, në kërkim të këtij rezultati që dukej i pamundur për vetë peshën financiare të një marrëveshjeje të tillë”, shkroi Rama.
Marrëveshja e dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe shtatzënitë si edhe sigurimin për papunësinë.
Hartimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali.
Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë Hungaria, Kanadaja, Turqia, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Kroacia dhe Kosova. Kësaj liste i shtohet edhe Italia, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes.
Ndërkohë që janë në proces marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Rumaninë, Greqinë dhe Francën. /Telegrafi/