Në Bruksel u nënshkrua Marrëveshja e Partneritetit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian në programin “Evropa Digjitale(2021-2027)”.
Marrëveshja u firmos nga ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu dhe përfaqësuesit të Komisionit Evropian.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Aliu falënderoi BE-në për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë:
“Sot partnerët tanë, që na kanë qëndruar në krah gjatë revolucionit digjital dhe reformave sfiduese e kanë vlerësuar angazhimin e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, për këtë arritje të shënuar, transformimin digjital që ka sjell transparencë në administratën publike përmes digjitalizimit të shërbimeve publike. Qeveria jonë mbetet e vendosur për të vijuar transformimin digjital me kërkesat dhe parametrat e BE. Kjo marrëveshje e rëndësishme tregon angazhimin e Maqedonisë së Veriut në përparimin e infrastrukturës digjitale dhe pranimin e mundësive të epokës digjitale. Programi i ‘Evropës Digjitale’ do të ofrojë fonde strategjike për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, duke mbështetur projekte në pesë fusha kyçe të kapaciteteve: në superkompjutor, inteligjencë artificiale, siguri kibernetike, aftësi të avancuara digjitale dhe sigurimin e një përdorimi të gjerë të teknologjive digjitale në të gjithë ekonominë dhe shoqërinë, duke i përfshirë Qendrat e Inovacionit Digjital”, deklaroi ministri Aliu.
Përndryshe, ministri Azir Aliu është duke qëndruar në një vizitë zyrtare tre ditore në Bruksel ku ka realizuar një sërë takimesh të rëndësishme.