Telegrafi

Nënshkruhet Marrëveshja e Parisit për Klimën

Udhëheqës botërorë dhe zyrtarë të tjerë nga 170 vende kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka qenë lideri i parë që ka nënshkruar dokumentin në një ceremoni të organizuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Marrëveshja, teksti i së cilës është miratuar nga afro 200 vende në muajin dhjetor, synon të zbusë ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe të mbajë rritjen e temperaturës mesatare globale nën 2 gradë Celsius, transmeton rel.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi 30 ditë pasi 55 vende, që llogaritet se shkaktojnë së paku 55 përqind të emetimeve të gazrave serrë, të përfundojnë procesin e ratifikimit.