Ministria e Shëndetësisë njofton se ka nënshkruar kontratën për fillimin e ndërtimit të Klinikës Emergjente në QKU.
Siç bëhet e ditur nga MSH, pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik me të cilin vërtetohet se MSH-ja ka respektuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik lidhur me tenderin për Klinikën e re Emergjente në QKUK, Ministria ka nënshkruar nga ana e saj kontratën që i hap rrugë ndërtimit të kësaj qendre dhe fuqizimit të shërbimeve shëndetësore emergjente në Kosovë.
“Klinika e re Emergjente parashihet t’i ketë pesë kate, një sipërfaqe prej 17 mijë e 500 metrave katrorë me shërbime të integruara emergjente, dhoma të mjaftueshme të intervenimeve dhe triazhimit, mbi 200 shtretër dhe pajisje të reja, që do t’i mundësojnë personelit kushte shumë më të mira për punë, ndërsa pacientëve mundësi për shërbime sa më cilësore shëndetësore”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Operatori i përzgjedhur për ndërtimin e kësaj qendre, sipas MSH-së është kompania “Al Trade” SHPK, kurse çmimi total i punimeve sipas kontratës do të jetë 8 milionë e 106 mijë e 238 euro.
Sipas kontratës, punimet në ndërtimin e klinikës duhet të fillojnë dy javë pas nënshkrimit të saj, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.