Dy ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, është nënshkruar edhe kontrata e parë për sponsorizim në sport.
Është platforma “Gjirafa” që kësaj radhe është bashkangjitur si partner i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave mes KOK-ut dhe “Gjirafës”, drejtori i përgjithshëm i platformës “Gjirafa” Mërgim Cahani tha se sot po arrihet një marrëveshje e madhe.
“Jemi duke krijuar një partneritet shumë të madh të shërbimeve të “Gjirafës” së bashku me Komitetin Olimpik. Ky partneritet për “Gjirafën” është i veçantë. Ne jemi krenarë me prezantimin e sportistëve tanë, kështu që ky bashkëpunim është një nder i madh për ne”, tha Cahani.
Ndërsa i pari i Komiteti Olimpik të Kosovës Besim Hasani këtë marrëveshje e cilësoi të veçantë duke pasur parasysh faktin se ajo është e para pas hyrjes në fuqi të Ligjit për sponsorizime.
“Kjo ditë është e veçantë, pasi po bëhet nënshkrimi i marrëveshjes strategjike afatgjate mes KOK-ut dhe “Gjirafës”. Po e quaj të veçantë pasi kjo është marrëveshja e parë për sponsorizim pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizime. Ndërsa e dyta ka të bëjë me datën 7 gusht 2016 ku tri vjet më parë e tronditëm botën me një lajm të jashtëzakonshëm dhe pikërisht kjo ndodhi në Rio, ku Majlinda Kelmendi arriti ta rrëmbejë medaljen e artë”, tha Hasani.
Gjirafa, Inc., është kompani e avancuar e teknologjisë, produkt kryesor i së cilës është makina kërkimore Gjirafa.com. Gjirafa, Inc., është kompani e avancuar e teknologjisë dhe inovacionit, që ka për qëllim lehtësimin e jetës tonë në epokën digjitale, duke ofruar shërbime të bazuara në Internet si: makina kërkimore në gjuhën Shqipe Gjirafa.com, platforma e reklamimit në Internet Gjirafa AdNetwork, shërbimi i shitjes online Gjirafa50.com dhe GjirafaMall.com, Video platforma me përmbajtje ekskluzive GjirafaVideo, platforma e pikave të interesit dhe bizneseve Gjirafa.biz, dhe shumë të tjera.
Gjirafa është kompani Amerikane, e themeluar në SHBA nga Mergim Cahani, njëherazi edhe CEO, ndërsa bashkëthemelues janë Ercan Canhasi dhe Diogjen Elshani.
Gjirafa me degët e saj në Kosovë dhe Shqipëri numëron rreth 80 të punësuar të cilët kryesisht punojnë në dy zyret e saj, Prishtinë dhe Tiranë.