Është zyrtarizuar procedura për rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë, pasi sot është nënshkruar aneks i Marrëveshjes Kolektive për aktivitet shëndetësor me përfaqësuesin e Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në një konferencë për media njoftoi se janë bërë korrigjime në koeficientët në aneks sipas rritjes së pagës minimale bruto në mars të këtij viti, e cila është rritur në shumën bruto nga 29.739 denarë në 33.352 denarë ose me 3.613 denarë.
“Në bazë të korrigjimit të pagës minimale, është bërë korrigjim i koeficientëve në Kontratën Kolektive në të gjitha grupet e kompleksitetit, me koeficient prej 0,233, i cili në shumën bruto është 3.636 denarë”, tha Taravari.
Ministri sqaroi se Marrëveshja Kolektive përmban të gjitha profilet e punëtorëve shëndetësorë me arsim të mesëm, përkatësisht infermierët që janë më të shumtët, laborantë, fizioterapistë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë me arsim të mesëm, për të cilët është paraparë rritje prej 5.681 denarë, në vlerë bruto.
Ai gjithashtu theksoi se është bërë korrigjim i profesioneve në përputhje me Ligjin për kujdesin shëndetësor, ku farmacistët si punëtorë shëndetësorë me arsim të lartë janë të barabartë me doktorët e mjekësisë dhe doktorët e stomatologjisë./Telegrafi/