Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka nënshkruar sot dy marrëveshje me Zyrën e Bashkimit Evropian, ku njëra është për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Fiskal 2020 si dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Dogana 2020. Marrëveshjet janë nënshkruar gjithashtu edhe nga drejtori i përgjithshëm për Taksat dhe Unionin Doganor në Komisionin Evropian, Stephen Quest.
Pjesëmarrja e Kosovës në aktivitetet e këtyre dy programeve është në përputhje me objektivat, kriteret, procedurat dhe afatet e përcaktuara në Rregulloren 1286/2013 dhe atë 1294/2013.
Programi “Dogana 2020“ mbështet bashkëpunimin në mes autoriteteve doganore të BE-së si dhe vendeve kandidate dhe atyre potenciale kandidate. Ky program mundëson bashkëpunimin, trajnimin si dhe aktivitetet e përbashkëta të personelit doganor si dhe ofron financimin e sistemit të teknologjisë informative për të rritur shkëmbimin e informacionit në mes administratave doganore.
Sa i përket programit “Fiscalis 2020”, politika tatimore e BE-së jep një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër mashtrimit tatimor dhe mbështet mbledhjen e të ardhurave për buxhetet e BE-së dhe të shteteve anëtare. Është një element kryesor në përpjekjet për të forcuar Tregun e Brendshëm të BE-së.
Bashkëjetesa e sistemeve kombëtare të taksave ngre çështje të taksimit të dyfishtë dhe shtrembërimit të konkurrencës. Programi “Fiscalis 2020” ndihmon administratat tatimore në vendet pjesëmarrëse të gjejnë zgjidhje për këto sfida.
Nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve i jep mundësi Kosovës, si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE, të ketë qasje në përvojat dhe bashkëpunimin në këto dy fusha me shtetet e BE-së dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse në këto dy programe. /Telegrafi/