Telegrafi

Nënshkruhen dy udhëzime administrative në fushën e kadastrit, do të ndikojnë në çmime më të lira për qytetarët

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, ka nënshkruar dy udhëzime administrative në fushën e kadastrit, që sipas tij  do të ndikojnë direkt në çmime më të lira e shërbime më cilësore për qytetarët

Udhëzimet administrative që janë nënshkruar janë: Udhëzimi Administrativ 04/2023 (11/19), Udhëzimi Administrativ numër 05/2023 (12/19).

“Me nënshkrimin e këtyre dy udhëzimeve Administrative, për të gjithë qytetarët e Republikës janë zbritur çmimet për shërbimet kadastrale që ofrohen nga Gjeodetët, si dhe kompanitë e licensuara për gjeodet në një shumë prej 18%”, njofton ministri Liburn Aliu.

“Gjithashtu, për herë të parë iu është hapur rruga Agjencisë Kadastrale të Kosovës për realizimin e një prej projekteve të rëndësishme kapitale, me anë të të cilit do të bëhet rregullimi dhe azhurnimi i të dhënave për pronarë, duke përfshirë këtu numrin personal dhe të dhënat tjera që ndërlidhen me pronarët e paluajtshmërive në Republikën e Kosovës”, ka thënë tutje Aliu.