Telegrafi

Nënkryetarja e Prishtinës: Prej sot fillim i ri me ndërmarrjen “Pastrimi”

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar lidhur me shkarkimin e kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Burim Kelmendi.

Në Facebook, Sahatçiu shkroi se prej sot nis kapitull i ri me ndërmarrjen ‘Pastrimi’ si dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

“Prej sot fillon kapitulli i ri për Prishtinën e pastër. Fillim i ri me KRM “Pastrimi”. Fillim i ri me menaxhim të ndërmarrjeve publike lokale në Prishtinë. Kështu politika bëhet shembull i mirë për të mirën e përbashkët, vlerën publike”, shkroi ajo.

Lexo po ashtu Shkarkohet kryeshefi i kompanisë "Pastrimi"

Ajo theksoi se Prishtina nuk guxon të jetë në këtë gjendje me mbeturinat.

“Prishtina nuk guxon t’jetë në këtë gjendje me menaxhim të mbeturinave as edhe një ditë tjetër. Ecim tutje”, shtoi më tej Sahatçiu.

Bordi i Drejtorëve i Kompanisë “Pastrimi”, në një mbledhje të jashtëzakonshme, sot ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Burim Kelmendin.

Bordi ka konstatuar se Kelmendi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit. /Telegrafi/