Vazhdojnë reagimet nga politikanë të ndryshëm nga Shqipëria për debatin e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka folur së fundmi për këtë çështje gjatë kampingut të Jalës.
Duke bashkëbiseduar me të rinjtë, Rama ka thënë se kufijtë e Kosovës janë kufij gjaku dhe se askush nuk mund t’i trafikojë ata.
“Kufijtë e Kosovës nuk janë çështje e negociatash individuale dhe as çështje negociatash bilaterale midis Kosovës dhe Serbisë, sepse për Kosovën ashtu si për gjithë hapësirën shqiptare, është luftuar, është derdhur gjak, dhe ato kufij janë kufij gjaku, janë kufij zemrash të cilat nuk mund t’i nxjerrë në tregun politik askush, cilido qoftë ai”, ka thënë Luan Rama teksa është duartrokitur nga të rinjtë.
Nënkryetari i LSI-së ka shtuar më tej se kufijtë e Kosovës në gjithë hapësirën e saj, janë vulosur me sakrificat shekullore të luftës së gjithë shqiptarëve.
“Kufijtë e Kosovës në gjithë hapësirën e saj janë kufij të ngritur, vulosur, të formësuar me sakrificat shekullore të luftës së shqiptarëve në të gjithë hapësirën e tyre, për trojet e tyre”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Rama ka thënë ndër të tjera se askush nuk mund t’i trafikojë apo ndryshojë kufijtë e Kosovës, sepse trojet etnike shqiptare janë të pandryshuara.
“Prandaj askush nuk mund të tjetërsojë, të ndryshojë, të trafikojë apo të bëj çfarë mund t’i teket atij me kufijtë e Kosovës, me lirinë e Kosovës, me hapësirën shqiptare në Kosovë dhe me trojet etnike shqiptare që janë të pandryshuara”, deklaroi Luan Rama./Telegrafi/