Site icon Telegrafi

Nënkryetar i AAK-së: Kosova këtë vit do të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Vonesa të pa justifikueshme, ngecje në marrjen e vendimeve e ndarje buxhetore jo e drejtë konsiderohet që po e karakterizojnë bashkëpunimin e nivelit qendror me atë lokal të Komunës së Gjakovës.

Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini në një intervistë për KosovaPress e vlerëson jo të mirë bashkëpunimin me nivelin qendror, për çka shpreson se këtë vit qeveria do të merr më me seriozitet punët e ndërlidhura me komunën.

Ndërkaq, si nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) beson që gjatë këtij viti Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për çka pret “rezultate më të mira të mundshme për AAK-në”.

Përveç tjerash, gjatë intervistës Gjini potencon se Komuna e Gjakovës ka shpenzuar afro 90 për qind të buxhetit të paraparë për vitin 2023, derisa thotë se “një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më herët”.

Ai përmend disa nga projektet më të komplekse të realizuara apo të nisura gjatë vitit 2023, për çka zotohet se edhe ky vit do të karakterizohet me investime kapitale për projekte të ndryshme.

Për KosovaPress, Gjini thekson se vonesat e pa nevojshme, ngecja në komunikim dhe marrje të vendimeve nga niveli qendror po u shkakton shumë vështirësi.

“Si e vlerësoni bashkëpunimin me nivelin qendror? Jo të mirë, të drejtën të ju them. Mund të jetë shumë më i mirë. Nuk është çështja vetëm e buxhetit, që nuk ka të ndara projekte të reja për Gjakovën për vitin 2024, por është edhe çështja e vonesave tjera që ndodhin. Vonesa të panevojshme, për shkak se Kosova nuk është federatë, Kosova është Republikë, të cilën komunat janë copë shumë e rëndësishme e sistemit administrativ dhe politik. Nëse ka ngecje në komunikim????, nëse ka ngecje në marrje të vendimeve që janë të ndërlidhura, neve na shkakton problem. Ka vonesa të pa justifikueshme…Po shpresoj që vitin tjetër qeveria e Kosovës do të marrë më seriozisht punët e ndërlidhura me komunat për shkak se ne shërbimet i bëjmë për qytetarët, nuk i bëjmë shërbimet për politikën”, thekson Gjini.

Ndërkaq, Gjini vlerëson se viti 2023 se ka qenë ndër vitet më intensive ndonjëherë në Komunën e Gjakovës, meqë sipas tij buxheti përfundimtar i investimeve kapitale arrin shifrën mbi 17 milionë euro.

Ndër projektet më të mëdha dhe sfiduese, i pari i Gjakovës, Ardian Gjini potencon punimet në daljen për Pejë, vazhdimin e shtratit të lumit Krena në pjesën e epërme të rrjedhës, punimet në stadiumin e qytetit, transformimin e qendrës së qytetit e të tjera.

“Ka qenë një ndër vitet më intensive ndonjëherë në Komunën e Gjakovës, me një buxhet përfundimtar të investimeve kapitale me mbi 17.5 milionë. Nuk ka ndodhur kurrë më përpara, me një realizim afër 86 për qind të këtij buxheti të investimeve që janë mbi 15.5 milionë, që është realizim i pa imagjinueshëm dikur. Me të hyra vetanake që kanë kaluar pothuajse në 6.5 milionë që janë prapë të pa imagjinueshme dikur. I kemi pasur disa projekte shumë të mëdha dhe sfiduese, të cilat në pjesën më të madhe veçse janë realizuar…

Është dalja për Pejë ka qenë projekti më i madh që është punuar sivjet, është projekt dy vjeçar mirëpo diku 75 për qind e punëve janë kryer, punët e vrazhda… Projekt tjetër të madh e kemi me 1.5 milionë vazhdimin e shtratit të lumit Krena në pjesën e epërme të rrjedhës, është punuar goxha shumë…E kemi stadiumin e qytetit në Gjakovë, është i veçantë, tribunën në lindje, jug dhe terrenin jemi duke e investuar ne, edhe ai projekt ka ecur mirë. Kemi qendrën e qytetit e cila është transformuar pothuajse komplet, është projekt që zgjatë disa muaj vitin tjetër…E kemi daljen për Rekë të Keqe dhe për Shqipëri që para diku 60 për qind të punëve janë kryer me një kontratë dy vjeçare”, thotë Gjini për KosovaPress.

Ndër të tjera, Gjini thekson se edhe gjatë këtij viti, do të vazhdojnë investimet në projekte të ndryshme, duke përfshirë përfundimet e punimeve në daljen për Pejë, Rekë të Keqe, përfundimi i qendrës, i fazës së dytë të lumit Llukas e fazës së katërt në lumin Krena e disa projekte të tjera.

Gjini konsideron se “edhe viti 2024 do të jetë i mirë”, sa i përket investimeve në këtë komunë.

“Edhe në vitin 2024, kemi seriozisht shumë investime kapitale, kemi projekte në vazhdimësi, përfundon dalja për Pejë komplet, përfundon qendra, dalja për Rekë të keqe që janë projekte të mëdha, përfundon faze dytë e lumit Llakas, faza e katërt e lumit Krena. Ndërsa, projekte që do të kenë impakt, që nuk janë vlera shumë milionëshe, është rruga qendrore e qytetit të vjetër, është e vetmja rrugë në qytet të tjetër që ka mbetur pa u rishtruar. I kemi pasur disa sfida të çuditshme aty, është buxhetuar për tu kryer…Edhe viti 2024 ka me qenë i mirë”, potencon Gjini.

Ndërkaq, si nënkryetar i AAK-së, Gjini vlerëson se sipas gjasave aktuale dhe bindjeve politike të qytetarëve, vendi ynë do të shkojë në zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti.

Nga këto zgjedhje, Gjini pret rezultatet më të mira për AAK-në.

“Unë po besoj që, nëse i kemi parasysh të gjitha rrethanat që janë krijuar në Kosovë, duke i futur në kalkulim edhe bindjet politike të njerëzve dhe idetë që i shohim, gjasat janë që në vitin 2024 do të kemi zgjedhje të parakohshme…Pres rezultatet më të mira për Aleancën, patjetër, më të mirat të mundshme”, thotë Gjini.

Përveç këtyre, Komuna e Gjakovës ka vendosur që qytetarët mos të gëzojnë të drejtën e faljes së 100 eurove për tatimin në pronë, meqë është konsideruar se humbjet do të arrijnë deri në 2.4 milionë euro. /KP/

Exit mobile version