Nga: Horacio Quiroga
Përktheu: Bajram Karabolli
Muaji i tyre i mjaltit kishte qenë një rrëqethje e gjatë. Bionde, engjëllore dhe e druajtur, por karakteri i ashpër i të shoqit ia kishte akulluar ëndrrat fëminore të nusërisë. Megjithatë ajo e donte shumë, edhe pse ndonjëherë, kur ktheheshin bashkë mbrëmjeve, i hidhte ndonjë shikim të fshehtë, me një drithërimë të lehtë, shtatëlartësisë së Jordanit, gojëkyçur për më shumë se një orë. Ai, nga ana tjetër, e dashuronte thellësisht, pa e vënë në dukje.
Gjatë atyre tre muajve – ishin martuar në prill – përjetuan një lumturi të veçantë. Pa dyshim që ajo do të kishte dashur më pak ashpërsi në atë qiell të ngurtë dashurie dhe më shumë ëmbëlsi të sinqertë e të shkujdesur, por i shoqi, me pamjen e tij të sertë, gjithmonë e ndrydhte.
Shtëpia, në të cilën jetonin, po ashtu i shtonte jo pak trazimet e tyre. Bardhësia e oborrit të heshtur – pllakat, kolonat dhe statujat e mermerta – krijonte një ndjesi vjeshte të një shtëpie përrallash. Brenda, shkëlqimi i akullt i allçisë, pa as gërvishtjen më të vogël në muret e larta, dëshmonte ndjesinë e asaj ftohtësie të pakëndshme. Kur ecje nga një dhomë në tjetrën, hapat jehonin në gjithë shtëpinë, sikur një braktisje e hershme ta kishte bërë edhe më të ndjeshëm kumbimin e tyre.
Në atë çerdhe të pazakontë dashurie e kaloi Alisia gjithë vjeshtën. Gjithsesi, kishte vendosur t’u vinte kapakun ëndrrave të hershme të saj, edhe pse jetonte e përgjumur në atë shtëpi armiqësore, duke pritur gjithë kohën të kthehej i shoqi, pa menduar gjë tjetër.
Nuk qe e çuditshme që të dobësohej. E kapi një grip i lehtë në pamje të parë, por që po zgjaste me ditë të tëra; Alisia nuk po përmirësohej fare.
Më në fund, një pasdite mundi të dilte në kopsht, mbështetur në krahun e të shoqit. Vështronte e përhumbur sa andej këndej. Papritur Jordani, me ëmbëlsi të madhe, i ledhatoi lehtë kokën, Alisia u shkreh në vaj, duke ia hedhur krahët në qafë. Një copë herë të gjatë, shfreu në qarje gjithë tmerrin e saj të heshtur, duke e shtuar vajin në çdo ledhatim të Jordanit. Pastaj ngashërimet erdhën duke u shuar, por qëndroi gjatë e zhytur ne gjoksin e tij, pa lëvizur e pa thënë asnjë fjalë.
Kjo qe dita e fundit që Alisia u ngrit nga shtrati. Të nesërmen u gdhi e venitur. Mjeku i Jordanit e ekzaminoi me kujdes të madh, duke i rekomanduar qetësi dhe pushim absolut.
– Nuk e di, – i tha Jordanit, me zë të ulët ende, tek porta e oborrit. – Ka një këputje të madhe, që nuk e kam të qartë. Pa të vjella, asgjë… Nëse dhe nesër gdhihet si sot, më thirr menjëherë.
Të nesërmen Alisia u gdhi më keq. Mjeku e vizitoi. Konstatoi një anemi akute që përkeqësohej, krejtësisht e pashpjegueshme. Alisia nuk pati më gjendje të fikëti, por dukej qartë që po shkonte drejt vdekjes. Gjithë ditën dhoma ishte me dritat ndezur dhe në heshtje të plot. Kalonin orë të tëra, pa u dëgjuar as zhurma më e vogël. Alisia dremiste. Jordani pothuajse jetonte në sallon, po ashtu me dritat ndezur. Ecte pa pushim nga një skaj në tjetrin, me kryeneçësi të palodhshme. Hapat e tij mbyteshin në qilim.
Ndonjëherë hynte në dhomën e gjumit dhe vazhdonte atë vajtje-ardhjen e tij të shurdhët përgjatë shtratit, duke vështruar të shoqen sa herë që ecte në drejtim të saj.
Shumë shpejt Alisia nisi të ketë halucinacione, në fillim vagëlluese dhe pluskuese, por që më vonë arritën rrafsh me dyshemenë. Vajza, me sytë e shqyer, sa nga njëra anë në anën tjetër të shtratit, nuk ia shqiste sytë qilimit. Një natë, papritur, mbeti me sytë të ngulitur. Pas një kohe hapi gojën për të klithur, ndërkohë që hunda dhe buzët iu mbushën me bulëza djerse.
– Jordan! Jordan! – bërtiti, e ngrirë nga llahtari, pa i hequr sytë nga qilimi.
Jordani vrapoi për në dhomë. Me ta parë të shoqin, Alisia lëshoi një piskamë tmerri.
– Jam unë, Alisia, jam unë!
Alisia e shikoi me përhumbje, shikoi qilimin, pastaj përsëri të shoqin dhe pas një copë here të gjatë verifikimi tërë habi, erdhi ne vete. Buzëqeshi ia mori dorën të shoqit midis të sajave dhe ia ledhatonte, duke u dridhur.
Midis halucinacioneve më ngulmuese, pati një që thua se ishte një antropoid që qëndronte i mbështetur në maj të gishtave mbi qilim dhe nuk ia ndante sytë atij.
Mjekët shkonin e vinin, por më kot. Aty, para tyre, ishte një jetë që po shuhej, duke humbur gjak ditë pas dite dhe orë pas ore, pa ia pasur as idenë më të vogël se pse. Në vizitën e fundit të tyre Alisia dergjej e topitur, ndërkohë që ata i matnin pulsin, duke ia përcjellë njëri-tjetrit kyçin e dorës së mekur. E vrojtuan gjatë në heshtje dhe më pas shkuan në kuzhinë.
– Hëm… – mblodhi supet i shkurajuar mjeku i familjes. – Është një rast i pashpjegueshëm… S’kemi ç’të bëjmë më shumë…
– Edhe kjo më duhej! – shfryu Jordani, duke trokëllitur harbutërisht gishtat mbi tavolinë.
Alisia po përhumbej në kllapinë e anemisë, që përkeqësohej mbrëmjeve, por që frenohej orët e para të mëngjesit. Gjatë ditës sëmundja e saj nuk përparonte, por çdo mëngjes gdhihej e zbehur, pothuajse në kllapi. Dukej sikur çdo natë, jeta po i ikte me shkulme të reja gjaku. Kur zgjohej, kishte gjithmonë ndjesinë sikur të ishte shembur në krevat me një milionë kile përsipër. Që nga dita e tretë kjo fundosje nuk iu nda më. Mezi lëvizte kokën. Nuk deshi që t’ia preknin shtratin, dhe as t’ia ndërronin jastëkun. Tmerret e saj gjatë muzgjeve tanimë përparonin me forma përbindëshash që zvarriteshin drejt shtratit dhe kacavirreshin dalëngadalë në dyshek.
Më vonë humbi vetëdijen. Dy ditët e fundit jermoi e mekur, me gjysmë zëri, pa pushim. Dritat vazhdonin ndezur përmortshëm, në sallon dhe në dhomën e gjumit. Në heshtjen agonike të shtëpisë, nuk dëgjohej tjetër veç jermit monoton që vinte nga shtrati dhe kumbimi i shurdhët i hapave të përhershëm të Jordanit.
Më në fund, Alisia vdiq. Shërbëtorja, kur hyri, më vonë, e vetme, për të rregulluar shtratin, e çuditur, pa një copë herë nënkresën.
– Zotëri! – thirri Jordanin, me zë të ulët. – Tek nënkresa ka ca njolla si prej gjaku.
Jordani u afrua me nxitim dhe u përkul mbi nënkresë. Qartësisht, mbi këllëf, dhe në dy anët e gropës që kishte bërë koka e Alisias, vëreheshin njolla të errëta.
– Duken si pickime, – mërmëriti shërbëtorja pas një kohe duke vrojtuar e palëvizshme.
– Ngrije në dritë, – i tha Jordani.
Shërbëtorja e ngriti; por e lëshoi të binte dhe qëndroi duke e vështruar, e zbehtë dhe duke u dridhur. Pa e ditur pse, Jordani ndjeu që flokët iu ngritën përpjetë.
– Çfarë ka? – mërmëriti me zë të ngjirur.
– Është shumë i rëndë, – shqiptoi shërbëtorja, duke u dridhur edhe më.
Jordani e ngriti; ishte plumb i rëndë. E morën dhe shkuan në kuzhinë; mbi tavolinë Jordani, me një të prerë, çau këllëfin dhe jastëkun. Puplat e sipërme fluturuan dhe shërbëtorja ia dha një klithme llahtari, me gojën shqyer, duke i vendosur duart e dridhura mbi flokë. Në fund të jastëkut, mes puplave, duke lëvizur ngadalë këmbët gjithë lesh, ishte një kafshë e përbindshme, një top i gjallë dhe veshtullor. Ishte buhavitur aq shumë, saqë mezi i dallohej goja.
Natë pas nate, qëkur Alisia kishte rënë në shtrat, ajo kafshëz e përbindshme, pa u ndier, kishte ngjitur gojën – më saktë, thimthin e tij – tek tëmthat e saj, duke i thithur gjakun. Pickimi ishte pothuajse i pandjeshëm. Largimi nga jastëku, gjatë ditës, pa dyshim që në fillim nuk kishte lejuar përshpejtimin e asaj gjendjeje, por që kur vajza nuk mundi të lëvizte më, thëthitja qe bërë marramendëse. Për pesë ditë e pesë net, përbindëshi ia kishte gjerbur tërë gjakun Alisias.
Këta lloj parazitësh të shpendëve, të veckël në mjedisin e tyre të përhershëm, në kushte të caktuara arrijnë të marrin përmasa të stërmëdha. Me sa duket, në veçanti gjaku i njeriut është shumë i favorshëm për ta, dhe nuk është e çuditshme të gjenden në nënkresat me pupla. /Revista “Palimpsest”/