Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë në pritje të vendimit të FIFA-s në lidhje me festën e tyre në fitoren e Zvicrës kundër Serbisë (2-1) në ndeshjen e Grupit E të Kampionatit Botëror.
Dy futbollistët shqiptarë iu gëzuan golave të tyre duke bërë simbolin e shqiponjës me duar dhe kjo gjë është konsideruar provokim nga serbët, të cilët kanë bërë ankesë dhe shtëpia më e madhe e futbollit ka nisur hetim kundrejt dy mesfushorëve që e përfaqësojnë Zvicrën.
Vendimi eventual që mund t’i ndëshkojë dy lojtarët shqiptarë lidhet me Nenin 54 të Kodit disiplinor të FIFA-s.
Neni 54
Provokimi i publikut të përgjithshëm
Kushdo që e provokon publikun e përgjithshëm gjatë një loje futbolli do të suspendohet me dy ndeshje moslojë dhe do të ndëshkohet me gjobë prej së paku 5.000 frangash zvicerane.
Mirëpo, FIFA ka nisur hetim edhe kundër Serbisë, pasi një grup tifozësh kanë mbajtur fanella me portretin e kriminelit të luftës, Ratko Mladic.
https://twitter.com/kosovanfooty/status/1010895665977810944
Neni 52
Sjellja e keqe e skuadrës
Masa disiplinore mund të ndërmerren ndaj federatave dhe klubeve, ku një skuadër nuk sillet si duhet. Në veçanti:
Pika b) Një gjobë prej së paku 10.000 frangash zvicerane do të zbatohet kur disa lojtarë ose zyrtarë nga e njëjta skuadër e kërcënojnë ose ngacmojnë zyrtarët e ndeshjes ose personat tjerë. Ndëshkime të tjera mund të ndërmerren në rast se ofendimeve serioze.
Po ashtu, duke u hetuar është edhe trajneri Mladen Krstajic për deklaratat e tij pas ndeshjes në lidhje me gjyqtarin.
“Do t’i jepja ose karton të verdhë ose karton të kuq, do ta dërgoja në Hagë. Pastaj ata do ta gjykonin, njësoj si na bënë neve”, citohet të ketë thënë Krstajic për gjyqtarin gjerman, Felix Brych.
Neni 53
Nxitje të urrejtjes dhe dhunës
-
Një lojtar ose zyrtar, i cili publikisht i nxit të tjerët për urrejtje ose dhunë do të ndëshkohet me suspendim për së paku 12 muaj dhe gjobë prej së paku 5.000 frangash zvicerane.
-
Në rastet serioze, në veçanti kur shkelja është bërë duke i shfrytëzuar mediat masive (si shtypi, radioja ose televizioni) ose nëse ndodh në ditën e ndeshjes ose përreth stadiumit, gjoba minimale do të jetë 20.000 franga zvicerane.
/Telegrafi/