Nënë Roza po bën kontrollin e fundit të misrit përpara se ta tregtojë.
Fermerja më e moshuar e Vaut Dejës, 87 vjeçe, kujdeset e vetme për 20 hektarë tokë të mbjellë me misër dhe grurë.
“Kallamoç dhe grurë dhe një pëllëmbë tokë nuk ia kam dhënë askujt. E kam punuar vetë dhe vetë derisa të mundem… vetë do ta punoj”, thotë Roza Daija Bujari.
“Unë jetoj me të. Kudo që dua të shkoj, çdo gjë, i kryej të gjitha me të”, tregon nënë Roza.
Në këtë moshë, ajo duhet të gjejë vetë edhe punëtorët pasi djalin e ka në emigracion dhe burri i ka ndërruar jetë vite më parë.
A i paguan punëtorët?
“Po po! Mua më kanë marrë bashkë me rimorkio, më lirë, se jam e vetme. 60 mijë lekë në ditë por e meritojnë sepse kanë mundin”, shprehet ajo.
A është e vështirë të gjenden punëtorët?
“Besa nuk gjen. Unë e para që jam e vetme nuk gjej”, tha nëna.
Nënë Roza ka gjetur edhe tregun pasi çdo vit shet rreth 400 kuintal grurë dhe misër, tek ferma e Emaldinit.
“Nënë Roza ka rreth 15 vite që sjell grurin dhe kallamoçin këtu tek ne. Ne jemi shumë të kënaqur me të dhe besoj edhe kjo me ne. Produkti i nënës është shumë i veçantë sepse është 87 vjeçe dhe vijon ende të punojë tokën. Është një shembull që duhet marrë”, thotë fermeri, Emaldin Smakaj.
87 vjeçaren, duket se e lodh vetëm ideja për të lënë punën.
Ke për ta lënë punën?
“Punën? Jo për Zotin, derisa të mbetem për të ecur me duar nuk e lë. Po pushimi nuk të vlen asgjë! Vlen gjë? Jo! Duhet të punojmë fort se diku të del”, thotë ajo.