Në Pejë janë shënuar dy viktima dhe janë lënduar po ashtu dy qytetarë si pasojë e vërshimeve që kanë ndodhur gjatë ditës së shtunë.
Sipas njoftimit të Policisë, viktimat janë një nënë bashkë me birin e saj, transmeton Telegrafi.
Fillimisht është konfirmuar vdekja e fëmijës, pastaj nënë e cila rezultonte e zhdukur u gjet pa shenja jete në orët e vona të mesnatës.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё 24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen Asllan Çeshme, njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orёs 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhej në njoftimin e policisë.
“Gjithashtu edhe nё lagjen Fidanishte nё Pejё dy persona kanё pёsuar lëndime trupore, tё njëjtit janё dёrguar nё Spiatlin rajonal nё Pejё”, vijon njoftimi.
Vërshimet kanë shkaktuar edhe dëme të shumta materiale, duke dëmtuar vetura e disa shtëpi.
Lidhur me situatën e krijuar, Ministria e Mbrojtjes ka dërguar në qytetin e Pejës ekipet e kërkim-shpëtimit. Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj.
“Të nderuar qytetarë, njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalë në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, thotë ai.
Pas konfirmimit të viktimës së dytë nga vërshimet ka reaguar edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Kryetari Gazmend Muhaxheri u shpreh i tronditur me rastin tragjik që ndodhi në Pejë, ku dy persona humbën jetën si pasojë e vërshimeve të së shtunës.
“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore”, shkroi Muhaxheri në Facebook.
Ndryshe, pas vërshimeve në Pejë, KRU “Hidrodrini” ka ngritur shkallën e Emergjencës dhe gatishmërisë.
“Deri më tash konstatohet se të gjitha burimet janë në normë dhe standard! Po ashtu, në rast të paraqitjes së nevojës, Hidrodrini ka ofruar mbështetjen me makineri të rëndë për autoritetet komunale të komunave respektive. Ekipet mobile mbeten në terren!”, thekson Hidrodrini.