Telegrafi

Nënat më të vjetra jetojnë më gjatë

Autorët e studimit të ri – i cili u botua këtë javë në revistën “Menopause” – thonë se lidhja nuk është shkakore, por sugjeron se të njëjtat gjene që ia mundësojnë gruas të mbetet shtatzënë më vonë në jetë (pa ilaçe të fertilitetit) mund ta ngadalësojnë procesin e plakjes dhe të shmangin sëmundjet.

"Aftësia e natyrshme për të pasur fëmijë në një moshë më të vjetër ka të ngjarë të tregojë se sistemi riprodhues i gruas po plaket ngadalë, dhe kështu edhe pjesa tjetër e trupit të saj", shpjegon dr. Thomas Perls, profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Bostonit.

Perls dhe bashkëhulumtuesit e tjerë arritën në përfundimet e tyre pas studimit të të dhënave të 551 familjeve. Ata gjetën se gratë që i kishin lindur fëmijët pas moshës 33-vjeçare kishin gjasa të jetojnë më gjatë se nënat që e kishin lindur fëmijën e tyre të fundit para moshës 30-vjeçare, transmeton Koha.net. Një grua që kishte lindur pas moshës 40- vjeçare kishte katër herë më shumë gjasa që ta arrijnë moshën 100- vjeçare se nënat më të reja.

"Natyrisht kjo nuk do të thotë që gratë duhet të presin që të kenë fëmijë në moshat më të vjetra në mënyrë që t’i përmirësojnë shanset e tyre për të jetuar më gjatë," sqaroi Perls. /Telegrafi/