Peruania Maria Tambo është detyruar ta braktis Limën sepse ishte e frikësuar dhe e dëshpëruar. Fëmijët që i kishte marrë me vete kur mbërritën në Peru ishin shumë të uritur…
Atje kishte mbërritur nga një fshat i Amazonës, me qëllim që vajza e saj Amelia, 17-vjeçe, të mund të bëhet e para në familje që është regjistruar në fakultet dhe ka ndjekur studimet, transmeton Telegrafi.
Ajo më herët kishte fituar një bursë për studime në Lima, e planifikonte që në këtë vend të marrë me qira një dhomë të vogël, e Maria ta ndihmojë bijën e saj që të studiojë. Ajo planifikonte të gjente punë në ndonjë restorant dhe ta ndihmojë.
Ndërkohë ka shpërthyer pandemia e coronavirusit. Kur COVID-19 mbërriti në Peru, shteti u mbyll. E pasi që mbi 70 për qind e peruanëve punojnë në një ekonomi informale, Maria humbi të gjitha punët që i kryente paralaleshit, pasi në këtë vend u futën masat e rrepta të karantinimit.
Ajo i kaloi dy muaj në karantinë, kurse familja mbeti pa para me të cilat do të paguante akomodimin dhe ushqimin. Maria kështu vendosi të kthehet në vendlindjen e tyre – në fshatin e rajonit Ukajali që nga Lima është 563 kilometra larg.
Megjithatë u shfaq një problem tjetër, transporti publik nuk funksiononte, kështu u detyrua që së bashku me fëmijët të niset në këmbë.
“Kam qenë e vetëdijshme për rrezikun, por nuk kemi pasur zgjedhje. O të ecnim dhe të vdisnim nga lodha ose nga uria”, ka deklaruar Maria për CNN.
Gazetari i CNN, Guilermo Galdsos, ka gjetur 40-vjeçaren Maria përmes një grupi në ËhatsApp ku mijëra peruanë ishin lajmëruar se po e braktisin Limën dhe po kthehen në shtëpitë e tyre.
Maria e kishte lejuar që t’i shoqëroj gjatë rrugëtimit për në shtëpi, dhe t’ia shpjegoj historinë e jetës së saj.
Nga Lima ishin larguar në fillim të majit. Në fytyrë Maria mbante maskë mbrojtëse e në shpinë e kishte djalin Melek dhe një çantë të vogël me zemra të vizatuara.
Amelia dhe Jasira, 7-vjeç, ecnin pranë njëra-tjetrës dhe mbanin çanta në shpinë. Nuk ishin të vetmet sepse mijëra peruanë u bënin shoqëri gjatë rrugëtimit. Të gjithë iknin nga pandemia dhe mungesa e ushqimit.
Ecnin përmes rrugëve malore, binarëve të trenit e deri në Amazonë që nuk është edhe aq vend i sigurte, në veçanti për një grua me tre fëmijë. Ata e kishin shumë të nxehtë, por për asnjë moment nuk hoqën dorë.
Kishin shumë pak ushqim e ujë me vete, ka pasur momente kur të huajt u jepnin ushqim. Maria dhe vajzat e saj kanë ecur shumë, e kur në ditën e tretë arritën në Ande, në një lartësi mbidetare prej mbi 4.500 metra, filluan ta ndjejnë mungesën e oksigjenit.
“Kemi ecur aq shumë, shputat e këmbëve të vajzave të mia morën ngjyrë vjollcë. Mendova se nuk do t’ia dalim”, ka deklaruar Maria e pushtuar nga emocionet.
Familja Tambo është dashur që gjatë rrugëtimit të kalojnë përmes pikave të kontrollit të policisë, që ishin vendosur në rajone të ndryshëm për të parandaluar që të infektuarit nga Lima, epiqendra e virusit në Peru, të përhapin coronavirusin nëpër zonat rurale.
Kur Maria së bashku me fëmijët mbërriti në San Ramon, para hyrjes në xhungël, policia e ndali dhe i tha: “këtu nuk mund të kalohet me fëmijë”. Ajo i gënjeu duke u thënë se po kthehet në fermën e saj në Chaparnaran, sepse nuk mund t’i thoshte policisë së po vjen nga Lima.
Po t’ju tregonte të vërtetën nuk do ta lejonin të vazhdojë rrugëtimin. Maria ka qenë më shumë e frikësuar nga uria sesa nga virusi. Pas shtatë ditëve, gjatë 563 kilometrave rrugëtim, Tambo dhe fëmijët e saj mbërritën në rajonin Ukajali. Sërish hasën në barriera. Në fakt në Ukajal nuk ka mundur të hyjë për shkak të karantinimit.
“Respiratori i vetëm që kemi është ajri, klinika jonë nuk ka asgjë që do ta luftonte virusin. Çfarë do të ndodhte kur personat e infektuar do të futeshin brenda? Si do të iknim?” i ka pyetur njëri nga eprorët e fisit autokton Ashanik në rajonin Ukajal.
Por, Maria nuk e kishte ndërmend të hiqte dorë. Pas një bisede me kryeplakun, i është lejuar të shkojë në shtëpi, por me kushtin që të vetëizolohen për 14 ditë. Kjo familje mbërriti në shtëpi pak para mesnatës, kur qentë që i kishin në oborr vrapuan menjëherë pas tyre.
U gjunjëzua nga gëzimi dhe falënderoi Zotin që e kthej në shtëpi. E derisa kjo nënë qante, bashkëshorti i saj Kafe dhe kunati dolën për t’i marrë. Ishin shumë të gëzuar, por vazhdimisht ruanin distancën për shkaqe sigurie nga virusi. Askush nuk është përqafuar apo prekur. /Telegrafi/