Site icon Telegrafi

Nëna Terezë dhe identiteti modern shqiptar

Njeriu si qeni shoqërore, është i lidhur dhe bashkëjeton me ngjarje, fenomene e personazh të rëndësishëm. Njeriu, si qenie e si identitet, është i lidhur me figura kombëtare, me të cilat identifikohet e nga të cilat ushqehet në rrugët e tij. Kësisoj është puna edhe me kombet, të cilat gjallojnë nga këso shtresimesh. Për shqiptarët, Nëna Terezë është objekt i krenarisë kombëtare, një shembull i motivueshëm që se ka bota, një model që ka shënjuar kohë dhe ka hyrë përjetësisht në panteonin e vlerave bipolare, Tokë e Qiell. Prandaj është fat i madh t’i takosh kombit të një njeriu që ka shënjuar kohën, shekullin, ka trand në themel teori e doktrina, se bota mund të drejtohet vetëm më armë, ushtri, pushtet, para e fuqi. Nëna Terezë ka trand themelet e një bote të egërsuar, egoiste, në të cilën dashuria është një nocion abstrakt dhe ka dëshmuar të kundërtën, se bota mund të drejtohet me dashuri, se dashuria është fuqia më e madhe që transformon botën. Dhe pikërisht këtë nocion abstrakt, Nëna Terezë e ka konkretizuar më mirë se çdo kush në historinë botërore, duke dëshmuar me shumësi veprash të jashtëzakonshme, e të pakapshme për mendjen njerëzore, se jeta është dashuri, të cilën duhet ta përjetosh. Nëna Terezë jetën e përjetoj se dashuri, e atë ia dhuroi botës me dashuri, duke e bërë fuqinë e saj të rrezatoj kudo në botë.

Motoja e së madhes Nënës Terezë se: “Vetëm dashuria mund ta shpëtoj botën”, jo vetëm që grish për të ndihmuar të vuajturit që gjenden në mjerimin e skajshëm, pa fajin e tyre, por është shndërruar në një formulë magjike, që troket në ndërgjegjen njerëzore, për një përbashkim drejt vlerave sublime, të tejkoheshme dhe universale. Nëna Terezë, duke i tejkaluar fuqishëm përmasat kombëtare, fetare, është ngritur në piedestalin më të lartë të vlerave botërore. Jo vetëm kaq, ajo është shenjëzim i njeriut model, që me dashuri e sakrificë tundi gjitha filozofitë, doktrinat, empiritë e jetës, duke krijuar një filozofi të re, një model të ri, një civilizim të ri, qytetërimin e dashurisë, siç shkruan biografi më i madh i Nënës Terezë, Don Lush Gjergji. Nëna Terezë tejkaloj gjitha mundësitë njerëzore, duke hyrë pavdekësisht në panteonin e vlerave me sublime që ka dhënë bota në dymijëvjeçarin tonë. Ajo mbetet një vlerë sublime për gjithë njerëzimin, duke flakur dallimet e gjithfarshme dhe duke ndërtuar filozofojnë e saj, qytetërimin e saj, që është thellësisht qytetërim i dashurisë dhe duke tejkaluar fuqishëm përkatësinë religjioze, nacionale, doktrinare, në funksion të së mirës së përbashkët që për intencë kishte Njeriun. Dashuria e saj, ndërtoj një kështjellë të pamposhtur, ngase ajo krijoi filozofinë më të veçantë, nga e cila vazhdon të magjepset njerëzimi, përtej dallimeve ideologjike, kombëtare e fetare.

E madhja Nëna Terezë thoshte: “Në vend që të ankohesh për errësirën, më mirë ndiz një qiri”. Dhe ajo e bëri këtë përgjatë gjithë jetës së saj, ndezi nga një qiri çdo kund në botë, ujiti thatësirat e shumta me dashuri, zbuti shpirtrat njerëzor në çdo cep të botës me urtësinë Hyjnore. Ishte një murgeshë e madhe dhe një shqiptare e madhe. Prandaj, sot kur ajo është përjetësuar në Lumturi, Ajo nuk ka nevojë për nderimin tonë, përkundrazi ne kemi aq shumë nevojë për Atë, për pulsin e saj dhe filozofinë e saj, për madhështinë e saj, që të inspirojë jetën tonë në rrugët e formësimit e konsolidimit. Pra, të bëhet pjesë e pandashme e edukimit tonë kombëtare, mbi të gjitha e konsolidimit nacional.

Nëna Tereze nuk ishte vetëm një edukatore, një murgeshë e përkushtuar pas të varfërve, një solidare e jashtëzakonshme, një misionare e Zotit, por, ajo ishte edhe një poete, një mendimtare, e cila i la trashëgimi botës përsiatje, vargje/uratë që ngërthejnë një filozofi të bujshme të urtisë dhe magjisë së fjalës. Poezitë e saj si: Jeta, S’ka rëndësi, Koha, etj. janë një shëmbëllim i fuqishëm i filozofisë së jetës, ku sintetizohen gjitha tiparet dhe emocionet e njeriut. Këto janë vargje antologjike të përdorshme çdoherë e në çdo kohë. Dhe ku, triumfalisht ngadhënjen filozofia e saj që tejkalon çdo të keqe, sepse ajo e ka antipod të mirën, pas së cilës duhet të priret njeriu. Çdo fjalë e varg i Nënës Terezë grish fuqishëm dhe bindshëm nga e mira, nga sublimja, nga vlerat universale, dhe sfidon kësisoj sfidon antipodet e tyre.

Tendencat e shumta se Nëna Terezë nuk duhet të përdoret në diskursin kombëtar janë të paqëndrueshme dhe krejtësisht qëllimkëqija. Përkundër këtyre tendencave që te eliminohet personaliteti i saj nga identiteti shqiptar dhe të kundrohet vetëm si person fetar, ajo vazhdon të jetë referencë e shumicës absolute shqiptare, duke u bërë pikë referimi, sepse kështu, pa asnjë ekzagjerim, shqiptari i bën nderin më të madh vetës, të mirës së tij. Ne mund të mburremi me të sepse ajo ka qenë, është dhe do të jetë pjesë e pashmangshme e diskursit kombëtar, ngase me personalitetin e saj të gjithanshëm, mbinatyror dhe shumëdimensional, ka infleuncar, po influencon dhe do të influencon rrjedhat shqiptare, kulturën shqiptare, letërsinë shqipe, pikturën, muzikën, skulpturën dhe politikën në Kosovë. Në këtë rast, duhet të përmendin sidomos filozofinë paqësore të Ibrahim Rugovës, e cila në esencë ishte e frymëzuar prej madhështisë së Nënës Terezë. Për presidentin dhe liderin e shqiptarëve të Kosovës, Dr. Rugovën ajo ishte model i lëvizjes paqësore prej së cilës u frymëzua. Dhe portretin e së cilës i mbajti sa qe gjallë kudo ai punonte e vepronte. Madje, këtë lëvizje dom Lush Gjergji, biografi më i madh i Nanë Terezës e quan, me plotë logjikë, lëvizje tereziane. Ndërsa, përmasat e personalitetit të saj janë shtrirë edhe në rrafshet praktike të jetës shqiptare. Sheshet kryesore në qendrat shqiptare mbajnë emrin e saj, kudo janë ngritur shtatore, rrugë, spitale e aeroporte që mbajnë dinjitetshëm emrin e saj. Pra, Nëna Terezë është një personalitet i rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi i jetës shqiptare.

Nuk është kult e as mit emri dhe vepra e saj për shqiptarët. Përkatësia e saj shqiptare, tanimë përbën një dimension të theksuar dhe evident në çdo aspekt të kombit shqiptar, duke ngritur dijen dhe vetëdijen për vlerat sublime, universale të saj, të cilat po përjetohen e pranohen nga gjithë shqiptarët. Personaliteti i Nënë Terezës që afro dy dekada është paradigma udhërrëfyese për shqiptaret, kudo ku flitet dhe ku shkruhet shqip, në hapësirat shqiptare, por edhe në ato të shpërndara anë e kënd botës. Ndaj, kësisoj është bërë hallkë shumë e rëndësishme e identitetit shqiptar, duke influencuar në përmasa të mëdha, funksionale kulturën shqiptare në tërësi.

Nëna Terezë duke qenë shqiptare, natyrshëm është pjese e identiteti shqiptar, frymëzon zemrat dhe mendjet shqiptare, ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimet dhe kahet e shoqërisë shqiptare dhe si e tillë është pjesë e pashmangshme e diskursit kombëtar, së këndejmi edhe e identiteti shqiptar. Tendencat e ndryshme, çfarëdo qofshin ato, për ta përjashtuar atë nga pjesa e identitetit shqiptar dhe për ta lënë brenda përkatësisë fetare, tashmë i përkasin së kaluarës, kur shqiptarët vërtiteshin mes dilemash të ndryshme dhe kur për shqiptarët flisnin ata që dirigjoheshin nga interesa të gjithfarshme. Ndërsa tash, kur këto dilema të mëdha janë qartësuar dhe orientimi perëndimor i shqiptarëve është vulosur, nuk ka assesi të na mohohet e drejta për ta pasur Nënë Terezën, pjesë të rëndësishme të identiteti shqiptar, ashtu sikurse nuk mundet mendja racionale t’iu mohoj popujve tjerë që figurat e shumta universale t’i kenë pjesë të identitetit kombëtar.

Figura dhe emri i Nënës Terezë na bashkon përherë në rrugëtimet tona të si komb. Ajo po ndihmon në krijimin e një vetëdije të re kombëtare. Prandaj, në këtë përvjetor të Lumturimit të saj, tok të bashkuar, duhet të funksioalizojmë mësimin e saj në çdo pore të jetës, për të dëshmuar se ajo për ne përbën një rëndësi sublime, të posaçme.
 

Exit mobile version