Nëna e Bleonës, Bukuria, tha se ‘’vendqëndrimi i vajzës, është në një kanton zviceran, pasi ka informacione të shumta se një fëmijë i ngjashëm me Bleonën gjendet në një shkollë verore’’. Nëna e Bleonës tha gjithashtu se ‘’kërkime po bëhen edhe në Athinë, pasi ka të dhëna të ngjashme që vijnë, ndërkohë që Gjermania dhe Zvicra mbeten dy vendet ku vijohet të kërkohet privatisht’’, citoi BW.
Një zonë e minuar në afërsi të kufirit me Kosovën, bëri që ajo pjesë mali të përjashtohej nga kërkimi për gjetjen e Bleonës. Burime të policisë thanë se ‘’pasi është ndërhyrë në pastrimin nga rreziku i shpërthimeve është bërë edhe krehja e malit, veprim që në të vërtetë ende nuk ka sjellë asnjë risi gjurme për zhdukjen misterioze të vajzës’’.
Policia nuk ka dalë ende në konkluzione në lidhje me kërkimet e fundit në zonë, dhe të dhënat që vijnë nga kontrollet nëpër vende të ndryshme të Europës, nuk kanë dhënë ende asnjë rezultat pozitiv për sa i përket ndonjë vendndodhjeje të saktë të vogëlushes së zhdukur. Policia dhe prokuroria presin mbledhjen e fakteve të reja për gjetjen e vajzës ose së paku për gjetjen shkaqeve të kësaj ngjarje të rëndë. /Telegrafi/