Ky është një pllakat i mesit të viteve ’70 nga mjeshtri Pandi Mele. Autori ka marrë frymëzimin nga Poema “Shtegtimet e Çajll Harolldit” të Bajronit të publikuar në 1812. Në pllakat mbizotërojnë ngjyrat kuq e zi, ngjyrat e flamurit shqiptar. Shqipëria përfytyrohet si një grua me një shami të zezë në kokë.
Portreti i saj është i ashpër, me një lloj hunde alla skënderbejane , por vathët e vendosur në vesh i japin një ndjesi hijeshie dhe lloji i shamisë na kujton portretet e grave të Mirditës e Malësisë së Madhe të fotografuara nga Edit Durham në fillim të shekullit të XX. Vitet 1970 e rikthyen sërish në vëmendje Bajronin dhe poemën e tij me ribotimin e përkthimit të parë te vitit 1955 nga kulturologu i madh, Skënder Luarasi. Këto vite përkojnë dhe me lëvizjet kundër zakoneve të vjetra apo prapanike siç i quante propaganda e kohës, ku një rol qendror luante emancipimi i grave.
Nuk përjashtohet mundësia që grafisti Pandi Mele të jetë i frymëzuar nga këto momente kulturore e historike ashtu si dhe Dritëro Agolli shkruan poemën “Nënë Shqipëri” (1974) ku ndihet ndikimi romantik Bajronian.
Pandi Mele (Hoçisht, Korçë 1939-2015), mban titullin ”Piktor i Merituar” Ishte djali i një qymyrxhiu fshati. Studioi për pikturë për shtatë vjet, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në drejtimin e pedagogëve Abdulla Cangonji, Sadik Kaceli, Qamil Grezda, Abdurrahim Buza, Kristina Koljaka (Hoshi). Kryen për dy vjet studimet për grafikë në Akademinë “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg (Rusi) në atelienë e S.M.Vasiljeviqit dhe diplomohet në Institutin e Arteve nëTiranë (1964).
Punoi fillimisht si redaktor dhe shef redaksie në SHB“Naim Frashëri” (1964-1969), në LSHASH, specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe ishte pedagog, shef i ateliesë së grafikës në InLA, Tiranë (1976-1994).
Ekspozoi për herë të parë në moshën 17 vjeçare (vepra “Portreti i gjyshes”, 1956, GKA, Tiranë). Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964,GKA, Tiranë; serinë grafike “Shtypi i partisë”, 1984; cikli “Rozafa”, 1999, studio artistit).
Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli (1914-2002), duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera (litografi, akuaforte, gdhëndje në dru.). Ai ndikoi dukshëm realizimin e një grafike bashkëkohore, si në teknikë ashtu dhe në konceptimin e saj.
Mele ka realizuar postera, emblema, pulla postare, ilustrime të ndryshme nga shkrimtarët shqiptarë (A.Z. Çajupi, N. Bulka, B. Dedja, A. Abdihoxha, N. Jorgaqi etj.). Mele ka realizuar tablo kompozicionale me temën e jetës shqiptare të periudhës së socializmit.
Ishte pjesëmarrës në ekspozitat jashtë Shqipërisë që shteti shqiptar organizonte deri në vitet 1990 (Greqi, Kosovë, Jugosllavi, Rumani, Turqi, Itali, Francë, Austri, Egjipt, Kinë). Mele ishte i ftuar në Bienalet dhe Trienalet Ndërkombëtare të grafikës nga viti 1989-1999 në Evropë dhe Lindjen e Largët (Lubjanë, Tuzla, Seul, Fredrikstad, Maastricht, Varna, Tokio, Lodz, Raciborz). Një koleksion prej 54 veprash (pikturë, grafikë, vizatim) ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Mele ka hyrë në enciklopedinë “The Grove dictionary of art” (2000, Macmillan Publishers Limited, NY, New York). /Shqip/