Kosova ka mbërritur sot pasdite në Southampton, derisa në mbrëmje e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në “St.Mary’s Stadium” para ndeshjes me e Anglinë, e cila luhet nesër në orën 20:45 sipas kohës tonë.
Atmosfera në ekipin e Dardanëve është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët e presin këtë duel me entuziazëm, megjithëse janë të vetëdijshëm se “Tre Luanët” janë në nivel krejt tjetër me kundërshtarët e deritashëm.
Sidoqoftë, dëshira dhe vullneti për të treguar më të mirën dhe për të dhënë maksimumin vërehet tek secili futbollist, derisa i mbetet fushës së lojës të dëshmojë nëse Dardanët do të arrijnë të vazhdojnë serinë pa humbje edhe pas këtij ballafaqimi me njërën prej kombëtareve më të forta në botë.
Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë.
Stërvitjen e sotme të Dardanëve e kanë ndjekur nga afër presidenti Agim Ademi, nënkryetarët Bakir Burri e Agim Dibrani, anëtarët e KE-së, Vjollcë Krasniqi e Mirsad Çollaku, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe zv.sekretari Arianit Ahmeti, derisa në Southampton tashmë kanë arritur edhe shumë bashkatdhetarë tanë për ta përkrahur Kosovën në këtë ndeshje tejet të rëndësishme.
Para stërvitjes në konferencën për media janë paraqitur përzgjedhësi Bernard Challandes dhe mbrojtësi Fidan Aliti.
Challandes i ka vlerësuar “Tre Luanët” si kundërshtar tepër të fortë dhe si një ndër ekipet më të forta në botë, prandaj edhe dueli i nesërm sipas tij do të jetë tepër i vështirë.