Site icon Telegrafi

Nën presionin e protestave, Franca do t’i ofrojë autonomi Korsikës

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin tha se qeveria qendrore mund t’i japë autonomi Korsikës. Njoftimi vjen pas dy javësh protesta të dhunshme në të cilat u plagosën rreth njëqind persona.

Ky njoftim përfaqëson një lëvizje në qëndrimet e Francës, e cila prej vitesh mban një qëndrim të ashpër ndaj të gjitha kërkesave për autonominë e këtij ishulli mesdhetar.

“Ne jemi gati të shkojmë për autonomi, ne e themi këtë, por nuk do të ketë dialog ndërsa dhuna po zhvillohet. Paqja është një kusht kyç”, tha Darmanin përpara udhëtimit dy-ditor në ishull.

Oferta e ministrit francez për autonomi për Korsikën është një precedent historik. Meqë ra fjala, ky ishull ka 330 mijë banorë dhe është më afër Italisë sesa Francës, raporton theguardian.

Nga mesi i vitit 1976 deri në 2014, Fronti Nacional Çlirimtar i Korsikës (FLNC) udhëhoqi një fushatë të armatosur kundër autoriteteve franceze që kërkonin pavarësinë. Pas heqjes dorë nga lufta e armatosur, përpjekjet e “nacionalistëve” për autonomi më të madhe morën mbështetje nga votuesit në zgjedhjet lokale dhe rajonale.

Protesta erdhi pasi një Yvann Colonna, një nga liderët nacionalistë, u sulmua në burg. Colonna po vuan dënimin e përjetshëm për pjesëmarrje në vrasjen e Claude Erignac, një zyrtari francez. /Telegrafi/

Exit mobile version