Site icon Telegrafi

Nën armë dhe me dëshirë

Forcat e Armatosura po lakmohen gjithnjë e me shumë nga të rinjtë shqiptarë, të cilët mes krenarisë për të përfaqësuar dhe mbrojtur atdheun dhe mundësisë për një punësim të sigurtë, po ndërmarrin të gjitha veprimet për t’u bërë pjesë e tyre.

Reparti i Trupës në Bunavi është vendi ku përgatiten rekrutët e rinj, përpara se të nisin aventurën dhe karrierën e tyre si ushtarakë.

Midis qindra të rinjve që po kryejnë aktualisht krosin e përgatitjes individuale, është edhe Erioni, ish-kampion i Mundjes që ka përfaqësuar vendin edhe në aktivitete ndërkombëtare e që Forcat e Armatosura i shikon si mundësinë më të sigurtë për të patur një profesion dhe për të çarë në jetë.

“Kam provuar emigracionin, por duke qenë se FA janë pjesë e NATO-s, më duket mundësi më e mirë. Kam qenë kampion në mundje duke marrë pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare, por nuk na trajtuan mirë, ndërsa tek FA të hapet një derë në jetë. Këtu jemi të gjithë njëlloj. Nuk ka përkatësi fetare, apo ndërhyrje politike. Gjithçka varet nga ty, mundësitë i ke për një karrierë dhe punësim të sigurtë”, thotë ish-kampioni i Mundjes, Erion Zhyti.

Ndërsa për 23-vjeçaren Zhuliana Stavri, Forcat e Armatosura  janë pasion, por duke patur edhe arsimin e lartë, i shikon si një mundësi për të bërë karrierë edhe jashtë vendit.

“Duke patur arsimin e lartë për anglisht, mendoj që është një shtysë e mirë për të bërë karrierë, pse jo edhe jashtë vendit. Unë kam bërë gjithçka vetë për të kaluar konkurset derisa u pranova të filloj kursin e përgatitjes individuale dhe vetëm në fund u kam thënë prindërve. Paralelisht me stërvitjen vazhdoj edhe masterin në anglisht, që mendoj se do të më ndihmojë, pasi nga ky kurs dal ushtare e dytë”, thotë rekrutja 23 vjeçare.

Shtimin e fluksit të të rinjve për t’u rekrutuar në FA e pohon edhe shefi i Qendrës së Stërvitjes. Ai thotë se mundësitë që të ofrohen në ushtri nuk të jepen në institucione të tjera.

“Është rritur numri i kandidatëve dhe për këtë na është dashur të vendosim kritere seleksionimi. Sistemi i bërjës së karrierës në FA nëpërmjet gradave dhe mundësitë e tjera që të jepen, nuk të ofrohen nga institucione të tjera”, thotë N/kolonel Bujar Fejzo.

Rekrutët që përfundojnë kursin e përgatitjes individuale emërohen automatikisht në repartet ushtarake ku fillojnë trajtimin e menjëhershëm me rrogë.

Exit mobile version