Drejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi sonte është kthyer në Kosovë, pasi qëndroi në paraburgim në Serbi për disa javë. Pas arritjes së tij në shtëpi, ka treguar se si është arrestuar nga autoritete serbe.
Ai ka thënë se ishte nisur për vizitë në Gjermani dhe Zvicër, ndërkaq ka bërë me dije se nëpër Serbi kishte kaluar edhe disa vite më herët dhe nuk kishte pasur problem me autoritetet e këtij shteti.
“Unë jam nis për të shkuar në Gjermani dhe Zvicër dhe kishte pasur një fletarrestim për mua, i manipuluar apo jo nuk e di dhe ashtu më arrestuan. Të them sinqerisht, unë kam qenë edhe një herë më herët, në vitin 2012 nëse nuk gaboj. Ka qenë shumë e thjeshtë, ata gjithmonë pretendojnë se janë shtet demokratik, pretendojnë kah integrimet evropiane dhe unë duke u nisur nga kjo vendosa që të hy nëpër Serbi”, thotë Thaçi për Express.
Nënkoloneli Thaçi ka sqaruar se ai në Serbi nuk shkoi për qëllim biznesi por mendoi ta përdorte këtë shtet si rrugë për në Gjermani dhe Zvicër.
“Jo nuk është e vërtetë, çfarë biznesi kam në Serbi, unë punoj në Policinë e Kosovës. Unë jam nis për vizitë në Mynih e mandej për të shkuar në Zvicër”, shpjegoi Thaçi.
Thaçi, i cili u arrestua mëngjesin e 29 shtatorit në kufirin e Dheut të Bardhë dhe qëndroi në paraburgim në Serbi, tha se trajtimi në burgjet serbe ishte i mirë. Ai tha se ndihet mirë për angazhimin e institucioneve të vendit për lirimin e tij, ndërkaq shtoi se do të punojë që “t’ia kthej borxhin Kosovës”.