Drejtori Rajonal i Policisë për Mitrovicën Jugore, Nehat Thaçi, kryeson listën e vlerësimit nga kompania e kontraktuar nga Ambasada Britanike për përzgjedhjen e drejtorit të burgjeve.
Në një dokument, të cilin kompania ia ka dërguar ministrit të Drejtësisë e të cilin e ka siguruar kallxo.com, shkruhet se paneli intervistues dhe kompania britanike janë pajtuar plotësisht me renditjen e kandidatëve në listën ku Nehat Thaçi është vlerësuar si kandidati më i mirë për këtë pozitë.
Autenticitetin e letrës dhe pranimin e saj e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga kabineti i Ministrit Abelard Tahiri.
Faton Fetahu, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë, i ka konfirmuar kallxo.com se MD ka pranuar raportin në lidhje me procesin e përzgjedhjes së pozitës së drejtori të burgjeve.
Në listën e ngushtë për këtë pozitë janë edhe Rasim Selmanaj, drejtor aktual i burgut të sigurisë së lartë, dhe Enver Rrustemi, ish zyrtar i IPK-së dhe ish kandidat i AAK-së për komunën e Vitisë.
Vendimi përfundimtar për emërimin e drejtorit të burgjeve merret në Qeverinë e Kosovës pas propozimit nga Ministri i Drejtësisë.