Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka njoftuar se Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi është pezulluar nga detyra.
Përmes një postimi në Facebook, Sallahu ka thë3në se kanë pranuar sot vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.
“Sot, kemi pranuar vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë për pezullimin nga detyra të z. Nehat Thaçi – Drejtor i Përgjithshëm i SHKK-së”, shkruan Sallahu.
Tutje, Sallahu ka shtuar se do të presin ftesat e Këshillit për të prezantuar fakte për kërkesën që Thaçi të shkarkohet nga pozita e tij.
“Ditëve në vijim presim ftesat nga KShVD për prezantimin e fakteve tona që e mbështesin kërkesën tonë për shkarkimin e z.Thaçi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së”, shkruan Sallahu.
Rreth një muaj më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka thënë se do të nisin procedurat për shkarkimin e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Kurse disa ditë pas konferencës, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-ministrit, Selim Selimi dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Përmes një postimi në Facebook, Sallahu ksihte njoftuar se po ashtu njëanshëm kanë anuluar “kontratën kriminale përmes së cilës persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithsej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katror”. /Telegrafi/